Fadil Vokrri, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka thënë për KTV-në se nuk mund ta fajësojë askënd për vendimin e UEFA-s që Feronikeli dhe Prishtina nuk kanë plotësuar kriteret për të luajtur në garat evropiane.
“Është për keqardhje sepse kemi pritur shumë të gjithë dhe është për t’u pranuar ky lajm me keqardhje, por mendoj se dy klubet kanë bërë maksimumin në periudhën e fundit. Nuk mund t’ia lëmë fajin askujt dhe duhet ta marrim atë si të tillë”, ka thënë ai për Interaktiv.
Vokrri ka thënë se ka biseduar rregullisht me zyrtarët e UEFA-s dhe se ka marrë njoftim se shpërblimet e premtuara për klubet kosovare do të vlejnë edhe pse ato nuk do të luajnë sivjet në Evropë.
“Kam kërkuar që së paku klubet të kompensohen dhe do të bëj çmos që ajo të arrihet që të ketë një shpërblim për dy skuadrat tona. Së paku një kompensim për punën e tyre, posaçërisht në dy javët e fundit”, ka thënë kryetari i FFK-së.
Kriteri financiar ishte problemi kryesor i klubeve që ndikoi në këtë vendim, ka njoftuar Vokrri.
Vokrri ka konfirmuar se më 9 dhe 10 qershor Kosova do të mësojë grupin në të cilin do të luajë në kualifikimet për Botërorin 2018.
Kosova të premten luan me Ishujt Faroen miqësoren e parë zyrtare. Ekipet takohen në Frankfurt, ndërsa Vokrri ka veçuar faktin se Kosova luan për herë të parë pa fusnotë dhe pa ndalesat e FIFA-s.
Vokrri ka bërë të ditur po ashtu se Kosova është në pritje të një sqarimi nga FIFA për futbollistët shqiptarë që luajnë në kombëtare tjera se a kanë të drejtë që të luajnë për Kosovën. (b.an)