Lëvizja “Vatra” nëpërmes një komunikate për media i ka bërë thirrje dy qeverive shqiptare që punojnë në favor të Luginës së Preshevës dhe mos ta përdorin mbledhjen mes tyre si marketing.
“Vatra” kritikojnë qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë sepse kanë harruar Fondin për Luginën, transmeton Koha.net. Ata më pas përmendin këtë fond si pjesë e talljes së kryeministrit serb Vuçiç.
“Në prag të mbledhjes së dytë të dy qeverive, shprehim një notë kritike për të dy qeveritë atë të Kosovës dhe të Shqipërisë, se e kanë harruar Fondin për Luginën dhe nuk kanë zbatuar pika të rëndësishme të dala nga rezoluta e vitit 2013, që është miratuar në Kuvendin e Kosovës.
Nga miratimi i rezolutës e deri tani ka pasur vetëm një shkëndijë në këtë drejtim, ku qeveria e Kosovës në vitin 2014 ndau vetëm 100 mijë euro për këtë fond zhvillimor që u krijua në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë.
Ky fond nuk u bë fond i përhershëm ashtu siç u kërkua në rezolutë por mbeti vetëm ad-hoc dhe kjo shumë aq e vogël sa u dha nga dy qeveritë e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë u përdor dhe si adut tallës nga kryeministri Vuçiq gjatë vizitës në Preshevë, ku tha se ‘ata të juajt nuk po ju dëgjojnë fare’”, thuhet nga kjo lëvizje. (b.an)