Nga Desada Metaj
“Flamur Noka në vitin 1990 bëri zgjedhjen e tij, pa rezerva e frikë, në favor të lirisë, ai theu perden e hekurt” – me këtë fjali në kufijtë e qesharakes në njoftimin zyrtar për shtyp PD është përpjekur ti japë përgjigje akuzave të PS se ish ministri i brendshëm ka fshehur në vetëdeklarimin e tij faktin që gjatë arratisjes në Kosovë ka pranuar të bashkëpunojë me shërbimet sekrete serbe.
Se sa e vërtetë është kjo akuzë, këtë nuk di ta thotë askush me siguri. Për më tepër që i akuzuari kryesor, Flamur Noka nuk ka bërë ende ndonjë prononcim zyrtar. Edhe ish kryetari Berisha pak ditë më parë, edhe deklarata e sotme e PD jo vetëm nuk zbardhin asnjë nga pikëpyetjet e çështjes, por shtojnë edhe më shumë dyshimet se diçka mbetet ende e pazbardhur në formularin që ish ministri i brendshëm ka dorëzuar pranë KQZ.
Dhe nëse Berisha është krejtësisht brenda stilit të tij të intervistës dhe mënyrës së përgjigjes dhe mbrotjes për ish bashkëpunëtorin e tij, është në kufijtë e qesharakes deklarata zyrtare e një partie politike, mbushur me fraza hartimesh të nivelit nën mesatar të një nxënësi të 9 vjeçares.
Të krahasosh në një njoftim zyrtar për shtyp Flamur Nokën me Havzi Nelën, është njësoj si të thuash se Elvis Roshi është përsekutuar nga policia italiane për shkak se Kavaja nuk bënte tifo për Italinë në Botërorin e ’90.
PD që ka marrë flamurin e dekriminalizimit, duhet të jetë absolutisht më serioze në qëndrimet për figurat e saj të rëndësishme politike. Nëse përgjigjja për akuza konkrete do të jenë hartimet, besueshmëria e saj në publik do të barazohet me fjalimin legjendar që Edi Rama mbajti për mikun e tij që u dorëhoq nga Bashkia e Kavajës.
Partia më e madhe në opozitë, nuk mund të shmanget duke lënë pa përgjigje akuzat ndaj ish ministrit të brendshëm, ndërsa dy herë në ditë nxjerr në foltoren e saj njerëz që numërojnë dhe sa hyrje dalje ka në paradhomën e Saimir Tahirit.
Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, PD sot duhet të kuptojë se dhe pak kohë e ndajnë nga zgjedhjet e ardhshme. Ku pjesa më e rëndësishme dhe ende e pazgjidhur është prezantimi dhe roli që do kenë ish kasta e lartë që qeverisi për 8 vjet. E që përpëlitet ende nga zyrat e Shqupit tek ajo e ish kryetarit, në përpjekje për të ruajtur me thonj ato pozicione që Berisha ua dhuroji sipas oreksit të vet e Basha nuk po ka vullnet as t’ua konfirmojë, por as t’a mohojë.