Nobelistja nga Jemeni, Tawakkol Abdel-Salam Karman, thotë se është diktatura ajo që çon në korrupsion, në zhvillim të dobët dhe në mbështetje të dijetarëve të këqij që interpretojnë keq Islamin e fetë tjera. Kundër terrorizmit mund të luftohet vetëm me ndalimin e diktaturës dhe përhapjen e drejtësisë, thotë ajo, .
Nëse komuniteti ndërkombëtar do që të ndalojë grupin militant Shteti Islamik (IS), atëherë duhet të ndalojë presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad.
“Bota nuk ka bërë sa duhet për këtë çështje. Duhen të shqyrtohen mënyrat me të cilat luftohet kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. Në të kundërtën, ideologjia, frustrimi, urrejtja dhe dhuna do të rriten”, thekson Karman, gazetare dhe politikane nga Jemeni.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se vendet e fuqishme duhet të luajnë rol kyç në këtë luftë, ashtu si edhe sektori joqeveritar dhe mediat.
“Duhet të çlirojmë botën nga diktatura”, thotë Karman që shton se fetë respektojnë vlerat e lirisë, barazisë dhe drejtësisë dhe se nuk ka asnjë lidhje midis tyre dhe ekstremizmit. “Ekstremizmi është kundër njerëzimit e vlerave dhe, rrjedhimisht, kundër fesë. Problemi qëndron te njerëzit fetarë që kanë role të këqija dhe thonë se përfaqësojnë Islamin, por në të njëjtën kohë janë diktatorë. Andaj, secili diktator është terrorist dhe secili terrorist është diktator. Ata jetojnë së bashku dhe mbrojnë njëri-tjetrin”.
Sipas saj, grupi ekstremist Shteti Islamik është pikërisht instrument i diktatorit Assad.
“Ata janë dorë e zgjatur e Bashar al-Assadit. Shihni atë që bën Shteti Islamik. Kush përfiton nga ajo? Diktatori. Ata kanë sulmuar Pranverën Arabe, njerëzit që duan liri dhe demokraci dhe kurrë regjimin e diktatorit. Njerëzit e rëndomtë vuajnë nga diktatori dhe nga Shteti Islamik. Megjithatë, besoj se, në fund, njerëzit do të fitojnë dhe mendoj se kjo fitore është afër, edhe pse nuk e kemi mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, ashtu siç e ka pasur Kosova”, thotë Karman./Telegrafi/a.m.