Prokuroria e Përgjithshme nisi dje hetimin e kryebashkiakut të dorëhequr të Kavajës, Elvis Rroshi, i dyshuar për falsifikim të dokumenteve gjatë plotësimit të formularit të vetëdeklarimit “Për dekriminalizimin”.
Pa kaluar 24 orë nga deklarata publike përmes së cilës kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi, njoftoi dorëheqjen e tij, Prokuroria e Përgjithshme regjistroi një hetim kryesisht ndaj tij. Ish-kryebashkiaku do të hetohet për veprën penale të “falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve”.
Ai dyshohet se ka paraqitur rrethana të rreme në formularin e vetëdeklarimit “Për dekriminalizimin”. Verifikimi i veprimeve të Rroshit nga ana e strukturave të posaçme të Prokurorisë së Përgjithshme u konfirmua dje nga burime zyrtare të këtij institucioni.
“Struktura ‘Për Dekriminalizimin’ në Prokurorinë e Përgjithshme ka nisur verifikimin dhe është regjistruar kryesisht hetimi për kryetarin e dorëhequr të Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, ‘falsifikimit të dokumenteve’ në procesin e plotësimit të formularit të vetëdeklarimit në bazë të ligjit ‘Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike’”, njoftoi dje zyra e shtypit pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
DYSHIMET
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, sektori i posaçëm “Për Dekriminalizimin” ka nisur verifikimin, në bazë të të dhënave të vetëdeklaruara nga subjekti Rroshi në formularin e publikuar tashmë, si edhe në sqarimin publik të bërë nga vetë subjekti, lidhur me shkaqet e dorëheqjes së tij.
Nga verifikimet paraprake, ka rezultuar se i dyshuari Elvis Rroshi nuk ka shënuar në formularin e vetëdeklarimit dënimin e dhënë nga autoritetet italiane disa vite më parë. Fakti që Rroshi ka qenë i dënuar nga autoritetet italiane, sipas Prokurorisë, u pohua vetë prej tij dy ditë më parë në deklaratën për dhënien e dorëheqjes.
Në ditët në vijim Prokuroria e Përgjithshme do të sekuestrojë sipas formës së kërkuar nga ligji formularin e vetëdeklarimit të dorëzuar nga ana e Rroshit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe po ashtu do të marrë në pyetje vetë Rroshin.
RREZIKU
Neni 190 i Kodit Penal për “falsifikimin” parashikon një dënim nga gjashtë muaj deri në 4 vjet heqje lirie për rastet e falsifikimit ose përdorimit të vulave, stampave apo formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore.
Sipas dokumentacionit italian të publikuar të hënën nga Partia Demokratike, Rroshi është dënuar në vitin 1992 në Itali nga një gjykatë të miturish me 1 vit e 4 muaj burg. Panorama/ a.k