Zbardhet vendimi i gjykatës së kryeqytetit, e cila dënoi me 21 vjet burg për vrasje ish-agjentin e SHISH, Xhevahir Mzhika. Procesi gjyqësor ndaj tij është gjykuar në mungesë, pasi punonjësi i SHISH ka arritur të largohet nga vendi i krimit menjëherë pas vrasjes së shtetasit Florian Selmani, pronar i një servisi tek ish-Fusha e Aviacionit në Tiranë.
Ndaj ish-agjentit të SHISH është caktuar masë sigurimi arrest në burg në mungesë, pasi me gjithë kërkimet e bëra si gjatë fazës së hetimeve paraprake, ashtu edhe nga kërkimet e urdhëruara nga gjykata përpara fillimit të gjykimit dhe gjatë procesit gjyqësor, i akuzuari nuk është gjetur dhe nuk është kapur nga policia.
Në vendimin e gjykatës përshkruhet edhe motivi i vrasjes që ka pasur të bënte me një gomë makine, që autori i ngjarjes e kishte riparuar e ndërruar te servisi i viktimës. Kjo gomë e vendosur në aksin e pasmë të makinës së agjentit të SHISH në kohën kur ndodhi krimi kishte plasur gjatë kthimit nga Gjiri i Lalzit, kur i akuzuari kishte gjithë familjen në makinë.
Sipas Gjykatës, Florian Selmani dhe vëllai i tij kanë pasur në pronësi një servis automjetesh pranë ish-Fushës së Aviacionit. Xhevahir Mzhika është me banim në të njëjtën lagje dhe ka qenë klient i këtij servisi.
Në fillim të muajit gusht 2014, Xhevahir Mzhika ka shkuar te servisi dhe ka ndërruar një gomë të automjetit tip “Mercedes Benz”, me targa AA… Në datën 15 gusht 2014, Xhevahir Mzhika ka qenë duke udhëtuar me familjen e tij në autostradën Durrës-Tiranë, por gjatë rrugës i ka pësuar defekt goma e ndërruar te servisi. Në vendimin e gjykatës thuhet se nga ky defekt është rrezikuar jeta e tij dhe e familjarëve që ishin në automjet. Xhevahir Mzhika është revoltuar nga kjo ngjarje.
Për këtë arsye të nesërmen, në datën 16 gusht 2014, Xhevahir Mzhika ka shkuar te servisi ku ishin duke punuar dy vëllezërit për t’iu kërkuar llogari, për shkak se nuk ishin treguar të kujdesshëm kur i kishin ndërruar gomën e automjetit. Mes tyre ka nisur një konflikt lidhur me gomën e ndërruar disa ditë më parë, konflikt i cili ka vijuar me përleshje fizike midis tyre, derisa kanë ndërhyrë për t’i ndarë disa persona të pranishëm.
Gjatë përleshjes, Xhevahir Mzhikës i ka rënë në tokë një çantë e zezë, të cilën e mbante të hedhur krahëqafë. Duke u larguar për nga porta e servisit, ai është ulur, ka marrë çantën, ka nxjerrë prej saj një pistoletë të vogël me ngjyrë gri, me të cilën ka qëlluar një herë drejt viktimës Florian Selmani. Ai ka shtënë nga një distancë e afërt në pjesën e majtë të kraharorit.
Viktima ka vazhduar të ecë pak metra dhe më pas është rrëzuar, duke humbur ndjenjat për shkak të gjakderdhjes. Ai është shoqëruar menjëherë për në spital nga vëllai i tij, por nuk ka mundur t’i mbijetojë plagës së marrë. Nga ana tjetër, pasi ka qëlluar me armë, Xhevahir Mzhika është larguar menjëherë dhe që nga ajo ditë nuk është gjetur më, me gjithë kërkimet e bëra nga policia.
Vëllai i autorit të krimit, por edhe bashkëshortja e ish-agjentit të SHISH kanë thënë se nuk kanë pasur dijeni për ngjarjen, derisa kanë marrë vesh nga media për vrasjen dhe më pas autorësinë e saj. Një prej familjarëve të të dënuarit ka thënë se e ka takuar Xhevahir Mzhikën tri orë pas ngjarjes dhe ai ka qenë i plagosur keq me shenja në trup dhe në kokë si pasojë e përleshjes së ndodhur në servisin ku kishte ndodhur vrasja.
Panorama/d.i.