Partia Socialiste i ka kërkuar Partisë Demokratike të veprojë për zbatimin e ligjit të Dekriminalizimit. Deputeti Alfred Peza, gjatë një deklarate për mediat i bëri thirrje selisë blu të mos i dalë në mbrojtje deputetëve të saj të cilët rezultojnë të dënuar për vepra penale.
Deklarata e Pezës:
Që ligji i dekriminalizimit të japë efektet e tij të plota, është radha e Partisë Demokratike të veprojë. Sepse të gjithë kanë patur rastin që ta shohin, se është kjo parti që po e pengon procesin e dekriminalizimit, duke mbrojtur deputetët dhe të zgjedhurit e tjerë të vet, subjekte të këtij ligji.
Dekriminalizimi është një proces i pandalshëm për pastrimin e skenës politike shqiptare, që nuk bëhet me fjalë, por me vepra.
Ndaj, e ftojmë Partinë Demokratike që të gjejë kurajon për të shkuar përtej propogandës, retorikës boshe dhe fjalëve në erë.
Ish ministri i Brendshëm Flamur Noka akuzohet si spiun i shërbimeve sekrete serbe. Ai ka qenë i ndaluar dhe ka gënjyer në formularin që ka plotësuar vetë për dekriminalizimin.
Partia Demokratike duhet të veprojë menjëherë, pasi të gënjesh nëpërmjet formularit, përbën vepër penale që dënohet nga ligji.
Në të njëjtën mënyrë duhet të veprohet për Alban Zenelin, deputetin e dënuar me burg por edhe për Arben Ristanin, numrin dy të Partisë Demokratike i dënuar gjithashtu me burg.
Partia Socialiste i bën thirrje Prokurorisë së Përgjithshme që të përfshihet në hetimin e Flamur Nokës, Arben Ristanit, Alban Zenelit e të çdokujt tjetër që përfaqëson këtë parti dhe që ka probleme me dekriminalizimin.
Partia Demokratike nuk mund të pretendojë se ka ndonjë meritë në rastin e dorëheqjes së ish- Kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi. Sepse, ai u dorëhoq pasi u njoh vetë me të vërtetën.
Ndërsa ne si familje politike, theksuam se respektojmë veç ligjin dhe se përpara ligjit, askush nuk është më i rëndësishëm.
/a.m.