Në kuvend shumë shpejt pritet të kalojë një draft i qeverisë që përcakton kufirin tokësor dhe detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, edhe pse çështja e kufirit detar mes dy vendeve është ende një debat i hapur. Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri u tha këtë të martë deputetëve të komisionit të ligjeve, se me urdhër të Kryeministrit është ngritur një grup pune, i cili është në fazën e fundit të përcaktimit të saktë të kordinatave.
“Ligji për kufirin shtetëror përcakton me koordinata kufirin shtetëror përfshi edhe vijën detare. Ka një grup pune të ngritur me urdhër të Kryeministrit që po merret me këtë çështje dhe kjo është një çështje jo e lehtë. Hyn tek çështjet prioritare të qeverisë. Është një grup ndërministrial, ku përfshihet ministria e Jashtme dhe Mbrojtjes për përcaktimin e koordinatave të sakta kufitare në tokë dhe në det. Ligji për kufirin shtetëror vjen shpejt për miratim në Kuvend pasi grupi i punës po punon”, u shpreh Tahiri.
Tahiri ishte i pranishëm në komisionin e Ligjeve për prezantimin e ligjit për kontrollin kufitar, i cili rregullon procedurat e hyrje daljes së shtetasve në pikat e kalimit kufitar.