Bojkoti 10 ditor i opozitës në punimet parlamentare, në solidarizim me përjashtimin po kaq të gjatë të Berishës për shkak të fjalorit të tij në seancë, ka qenë çështja e vetme e trajtuar në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Mungesa e opozitës ka vështirësuar punën normale në komisionet parlamentare, teksa të enjten në seancë duhet kuorum i plotë për të miratuar disa marrëveshje të rëndësishme financiare. Për këtë arsye, gjatë mbledhjes së djeshme, Gramoz Ruçi u ka kërkuar deputetëve që të mos mungojnë në seancë, pasi PD do të mungojë së bashku me katragjyshin e saj.
“Siç e dini, opozita, Partia Demokratike dhe babai i saj, (Lërë që ç’baba është ai. Ai është katragjysh.) kanë marrë 10 ditë pushim e nuk do të jenë. Ndaj ju kërkoj që në seancë të jeni të gjithë të pranishëm dhe të angazhuar, pasi kemi për të miratuar disa marrëveshje të rëndësishme, për të cilët kemi detyrim ndaj partnerëve. Mos mungoni!”-mësohet tu ketë thënë Ruçi deputetëve, raporton Shqipta4ja.com.
Edhe gjatë mbledhjes së komisioneve të djeshme parlamentare, ka pasur vështirësi për shkak të mungesës së opozitës dhe mungesës edhe të disa deputetëve të majtë. Mungesa e këtyre të fundit ka vonuar plotësimin e kuorumit, duke bërë që komisioni i integrimit të anulohet, ndërsa shëndetësi, ligjet dhe veprimtaria nisën me shumë vonesë, pasi u plotësuan me deputetë zëvendësues. Këtë të enjte, pritet të shqyrtohet dhe të miratohet vetëm me votat e mazhorancës: Projektligji “Për shërbimet në Republikën e Shqipërisë”, (votim me shumicë të thjeshtë); Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9936, datë 26.6.2008. (javanews.al /r.a)