Çështjet e sigurisë janë kthyer më në zë se kurrë, jo vetëm për shkak të ISIS-it, por edhe për shkak të rikthimit të një armiqësie të vjetër, asaj mes Lindjes dhe Perëndimit.
Dhe tek çështjet e sigurisë si anëtar i NATO-s përfshihet edhe vendi ynë, aq më tepër pjesë e një rajoni, që siç u tha në Asamblenë Parlamentare të mbyllur këtë të hënë në Tiranë, ku është rritur influenca e Rusisë.
Për të folur për këtë, Asamblenë, rolin e vendit tonë brenda aleancës dhe çfarë pritet të vendoset në Samitin e Varshavës, këtë të hënë në Top Story ishin e ftuar ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe analistët Arjan Vasjari dhe Skënder Minxhozi.
Ministrja Kodheli konfirmoi deklaratën e Michael Turner, i cili tha në ditën e fundit të punimeve të Asamblesë këtu në Tiranë, se me Rusinë nuk mund të ketë dialog përsa kohë ajo kërcënon fqinjët e vet.
“Dialogu nuk është strategji, por kjo nuk do të thotë që s’duhet të dialogojmë. Këtë herë dialogu me Rusinë është pjesë e strategjisë, le të futemi në dialog, por duke qenë të fortë”, tha Kodheli.
Sipas ministres, Shqipëria ka ruajtur qëndrimin e vet përballë Rusisë, qëndrim në të njëjtën linjë me NATO-n.
“Ne kemi qenë të qartë në qëndrimin tonë në momentin kur Krimea u aneksua dhe ushtria ruse hyri në territorin e një vendi të pavarur siç ishte Ukraina. Ballkani është dashuri e vjetër e Rusisë dhe ne si Shqipëri jemi shumë të qartë se cili do të jetë pozicioni ynë. Kemi kthyer sytë nga Perëndimi sepse mendojmë që ndajmë të njëjtat vlera me ta, pastaj jemi të hapur për marrëdhënie pa cënuar integritetin e vendit. Qëndrimet tona kanë qenë të qarta, qoftë për Rusinë, qoftë për ekstremizmin”, u shpreh ministrja.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu mendon se mes NATO-s dhe Rusisë nuk do të ketë përplasje të armatosur, por vetëm presione për influencë.
”Ka një marrëdhënie institucionale mes NATO-s dhe Rusisë. Kërkohet që dialogu të rifillojë me Rusinë dhe të përditësohet edhe memorandumi dhe kushtet. SHBA patën një orientim më të madh nga Azia dhe Rusia përfitoi nga kjo duke fituar terren në vendet e Lindjes së Europës. I gjithë konfrontimi mes Rusisë dhe NATO-s është për të përcaktuar kufijtë e influencës”, tha ai.
Lidhur me sigurinë, Kodheli shtoi se dy janë problemet dhe sfidat madhore me të cilat përballet aktualisht aleanca, Rusia dhe ISIS. Për këto do të vendoset më vonë gjatë vitit në Samitin e Varshavës.
“Në samit jemi duke pritur se cila do të jetë prania ushtarake e ushtarëve amerikanë në kufijtë Lindorë të NATO-s dhe kjo do të vendoset para se zgjedhjet në Amerikë të bëhet”, u shpreh ajo./Tch/a.m.