Ligji i Dekriminalizimit i ka dhënë efektet e veta. Ky është qëndrimi i ministrit të drejtësisë Ylli Manjani. I ftuar në emisionin “Shihe Programin” me gazetarin Enkel Demi, ministri Manjani tha se ligji u hartua pas një të keqeje të madhe që kishte kapur politikën. “Kemi qenë përpara një të keqeje, krimi është ulur këmbëkryq në politikë, deklaroi Manjani. Ligjin e Dekriminalizimit, ministri Manjani nuk e quan një ligj të përsosur në aspektin juridik, ai i konsideron kërkesat e tij minimaliste.
“Tashmë ligji i ka dhënë efektet e veta. Opinioni e di se kush ka qenë në burg, kush ka më shumë se dy emra e kush ka bërë zullume”. Sipas tij zgjidhja pas daljes së këtyre të vërtetave do të ishte që këto persona të vetëlargoheshin nga politika. Nëse kjo nuk ndodh Manjani thotë se nuk do të kishte “ligj që i bën fajde vullnetit të keq”.
Ndërsa nëse ata rizgjidhen Manjani thotë se kjo “është një cështje krejt tjetër”. I pyetur për përgjimet Manjani thotë: “Ka një hetim nga prokuroria dhe ne duhet të presim përfundimin e tij, pavarësisht nëse i besojmë apo jo, na pëlqen apo jo. Mezi po pres një rezultat dhe mendoj se opinion public meriton të ketë një përgjigje sa më parë”./27.al/a.m.