Komiteti Shqiptar i Helsinkit me anë të një deklarate për shtyp ka reaguar ndaj mbipopullimit në burgje, duke u shprehur se ky është një fenomen shqetësues. Sipas KShH, askush nuk ka të drejtë të mos zbatojë vendimet e gjykatës me mjekim të detyruar.
KShH i referohet Raportit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të muajit Prill të këtij viti, i cili nga pikëpamja statistikore evidenton se, nga 5769 personat që mbahen në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale (dënimit), 2622 janë të dënuar me burgim (159 prej tyre me burgim të përjetshëm) 2979 të paraburgosur dhe 168 shtetas me mjekim të detyruar. Mbipopullimi në institucionet penitenciare është 314 persona mbi kapacitetin e lejuar.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, herë pas here ka monitoruar gjendjen e respektimit të të drejtave të personave të privuar nga liria në institucionet penitenciare, si dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore ndaj personave me masë mjekësore “Mjekim i Detyruar” në institucione mjekësore të specializuara, për shkak të gjendjes së tyre mendore.
Problemi i mbipopullimit dhe fakti se personat me vendime gjyqësore mbahen në kushte të papërshtatshme dhe nuk dërgohen në institucione mjekësore të specializuara ka qenë dhe mbetet shqetësim serioz. Është kjo arsyeja që KShH, por dhe Institucioni i Avokatit të Popullit kanë bërë rekomandime të vazhdueshme drejtuar organeve kompetente, duke reaguar edhe publikisht.
Mbipopullimi në institucionet penitenciare dhe mënyra se si ekzekutohen vendimet gjyqësore të personave me masë mjekësore përbëjnë shkelje të të drejtave të shtetasve, të sanksionuara në legjislacionin tonë dhe atë ndërkombëtar. Shkelje të tilla janë me pasoja për shëndetin dhe jetën e njeriut, madje duhet përmendur se ato, në këtë apo atë rast, mund të cilësohen edhe trajtim çnjerëzor dhe degradues që përfshihen në elementin e torturës.
Si rrjedhim, KShH thekson se, shkelje të tilla janë penalisht të ndëshkueshme. (javanews.al /r.a)