Mes shtatë pretendentëve për Çmimin letrar të prozës shqipe, konkurruan autorë si Bardhyl Londo, Vera Bekteshi e Mustafa Nano, por fitues u shpall shkrimtari i ri Shkëlqim Çela, me librin me novela ‘Embriologji’.
Vitin e kaluar, ai ra në sy si një talent i ri në letrat shqipe me dorëshkrimin me tregime, të cilin e paraqiti për konkurrim në edicionin e parë të Çmimit letrar “Kadare 2015”, ku fitues u shpall shkrimtari Rudolf Marku, ndërsa këtë vit, juria e përbërë nga shkrimtarë dhe kritikë, e gjykuan prozën e Shkëlqim Çelës si më të mirën nga prurjet, duke i dhënë Çmimin që mban emrin e shkrimtarit më të njohur të letrave shqipe.
Autori, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fiton kështu, së bashku me çmimin, të drejtën e botimit të veprës nga Botimet Mapo, si edhe shpërblimin prej 10 mijë eurosh, që Fondacioni Mapo si organizator i këtij konkursi, kanë vendosur për fituesin.
Interesi për emrin e këtij shkrimtari pak të njohur në Shqipëri është i natyrshëm dhe në fakt dhe historia e tij është e veçantë. Shkëlqim Çela vjen nga fusha e shkencave kompjuterike, ndërsa prej vitesh shkruan në poezi dhe prozë. Ai ka botuar disa libra si “Mëmëdhembje”, “Tuneli i dhëndurëve”, “Ishulli Ruzvelt”, “Zgjimi i ushtarit nga vdekja fushore”, “Kulmak”, vëllimin me poezi “Nga ngjyra e pluhurit dukej si hëna”. Këtë edicion, juria e përbërë nga: Diana Çuli, Ylljet Aliçka, Rudolf Marku, Preç Zogaj, Agim Baçi, Gilman Bakalli dhe Alfred Lela, e ka vlerësuar si prozën më të mirë shqipe për këtë vit. Me këtë çmim, juria ka vendosur të nxisë letërsinë e të rinjve.
Vepra e Kadaresë, në Ditët Letrare të Razmës
Çmimi “Kadare” u shpall gjatë Ditëve Letrare të Razmës, që ashtu si vitin e kaluar, u organizua në mjediset e “Natyral Razma Resort”. Ky aktivitet, i cili zhvillohet për të dytin vit radhazi në javën e fundit të muajit maj, synon të kthehet në një traditë të mirë ku diskutohen tema, fenomene dhe problematika të letërsisë shqipe. Në fokusin e organizatorëve është nxitja e prozës së mirë shqipe. Në këtë edicion të dytë të Ditëve të Letërsisë, fokusi ishte në letërsinë e Kadaresë, në kuadër edhe të 80-vjetorit të shkrimtarit.
Pjesëmarrësit në këtë aktivitet, shkrimtarë, studiues dhe dashamirës të letërsisë, si: Ylljet Akiçka, Diana Çuli, Rudolf Marku, Preç Zogaj, Flutura Açka, Diana Kastrati, Ermir Nika, Gilman Bakalli, Agim Baçi, Vincens Marku, Viola Isufaj etj., diskutuan mbi studimet e bëra mbi veprën e Kadaresë dhe Kadare si studiues me veprat e tij eseistike.
Studiuesja Viola Isufaj, e cila ka botuar disa studime mbi letërsinë e Kadaresë, e fundit e botuar nga Shtëpia botuese UET Press, me titull “Kadare në letrat e sotme franceze”, u fokusua në rimarrjen e mitit në veprën e Kadaresë. Ajo u shpreh se Kadare është treguar i kujdesshëm në risjelljen e këtyre miteve, të cilat i gjejmë në vepra si “E penguara”, “Kush e solli Doruntinën”, “Aksidenti”, “Pallati i ëndrrave”, “Përbindëshi”, “Ura me tri harqe”, “Vajza e Agamemnonit” etj.
Ndërsa shkrimtarja Diana Çuli tha se Kadare nuk krijoi një shkollë të letërsisë, duke qenë i pakopjueshën dhe i paimitueshëm, por vendosi një stekë të lartë për të gjithë shkrimtarët e rinj. E bëri letërsinë serioze dhe pas viteve ‘80 e çliroi, si letërsinë, ashtu edhe kinematografinë shqiptare, nga skematizmi dhe të ashtuquajtura tema të mëdha. Studiuesja e re Irena Myzeqari diskutoi mbi figurën e gruas në letërsinë e Kadaresë, temë mbi të cilën ajo po mbron doktoraturën.
-10 mijë euro është vlera e çmimit “Kadare”, që akordohet nga Fondacioni Mapo, duke shënuar një nga çmimet me vlerën më të lartë që jepet në fushën e letrave shqipe
-Motivacioni i çmimit: Për një tekst që ndërthur letërsinë e kujtesës nëpërmjet groteskut dhe autoironisë, me një individualitet që iu garanton këtyre tri novelave dhe autorit, një hyrje në letrat shqipe.
-Gara për çmimin, 33 autorë në garë: Gjatë 3 muajve që ishte hapur thirrja, konkurruan 33 autorë, nga të cilët u kualifikuan 11 autorë, në shortlistën e fundit ishin 7 autorë, të cilët janë: Ada Çapi me “morPhina”, Arb Elo me “Ursa Major”, Bardhyl Londo me “Qyteti i pandehmave”, Grigor Banushi me “Simfonia e pambaruar”, Mustafa Nano me “Selam aleikum, baba”, Pranvera Bekteshi me “Ora me rërë” dhe Shkëlqim Çela me “Embriologji”.
-Kush është Shkëlqim Çela: Interesi për emrin e këtij shkrimtari, pak të njohur në Shqipëri, është i natyrshëm, e në fakt dhe historia e tij është e veçantë. Shkëlqim Çela vjen nga fusha e shkencave kompjuterike, ndërsa prej vitesh shkruan në poezi dhe prozë. Ai ka botuar disa libra, si: “Mëmëdhembje”, “Tuneli i dhëndurëve”, “Ishulli Ruzvelt”, “Zgjimi i ushtarit nga vdekja fushore”, “Kulmak”, vëllimin me poezi “Nga ngjyra e pluhurit dukej si hëna”. (kult/r.a)