Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Arben Ristani ka denoncuar një ngjarje ku sipas tij, shefi i komisariatit të Kurbinit Ermal Lila, ka marrë me forcë një mësues i cili ka qenë i pranishëm në protestën e opozitës, para bashkisë së qytetit, kundër kryetarit të saj Artur Bardhi.
Sipas Ristanit, Ermal Lila ka shkuar në shkollën ku jep mësim Vladimir Korriku dhe e ka shoqëruar atë forcërisht në komisariat.
“Edi Rama jo vetëm po i mban banditët e trafikantët që ka katapultuar në zyrat e shtetit, por ka urdhëruar dhe terror ndaj qytetarëve që protestojnë dhe kërkojnë pastrimin e zyrave nga krimi, çlirimin e pushtetit nga kriminelët.
Një farë Ermal Lila, cub me uniformë në Policinë e Kurbinit është vënë në ndjekje të qytetarëve dhe demokratëve që protestuan dje para zyrave të bashkisë, duke kërkuar zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, ligj që nxjerr prej Bashkisë Bardhin e Ramës, jo vetëm sepse ka precedentë, por edhe e con për ndjekje penale se përveç 5 emrave që ka deklaruar, ka fshehur dy të tjerë, identitete me të cilat ka probleme me drejtësinë.
Shefi i komisariatit të Kurbinit, Ermal Lila, duke zbatuar urdhërat politikë, ka dërguar policë sot në shkollë, gjatë mësimit, për të marrë me forcë mësuesin Vladimir Korriku, që ishte dje në protestë.
Kjo dhunë, ky presion i Edi Ramës është drejtpërdrejt në mbrojtje të krimit, është një përpjekje e turpshme për të mbyllur gojën e qytetarëve, e demokratëve.
Jam sot këtu për ti bërë të ditur këtij shefi komisariati dhe çdo kujt tjetër që shërben urdhërat politikë të Edi Ramës, të mos guxojnë të prekin një qytetar, një demokrat sepse do të përgjigjen deri më një para ligjit.
Artur Bardhi i Ramës, Bushi e Roshi, banditët e trafikantët që ka futur nëpër zyra e deri në parlament, do të marrin përgjigjen e duhur, dhe nuk i mbron dot as Edi Rama, as policia e urdhëruar politikisht.
Shqiptarët të jenë të bindur se dekriminalizimi do të bëhet, politika dhe zyrat e administratës shteterore, do të pastrohen nga krimi. Pushteti do tu kthehet qytetarëve.” tha Ristani. java/ a.k