Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç duke marrë fjalën gjatë punimeve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s që po zhvillon sot ditën e tretë të punimeve të tij, në Tiranë tha se “Mali i Zi aspiron të jetë pjesë e NATO-s, dhe ka një vizion të qartë për të kontribuar në drejtim të stabilitetit dhe sigurisë”.
Duke e konsideruar si shumë të rëndësishme pjesëmarrjen e Mali të Zi në këtë Asamble të NATO-s, Gjukanoviç vuri në dukej se, kjo do të thotë fuqizim dhe bashkëpunim mes vendeve, tashmë dhe në kushtet kur Mali i Zi siç tha ai, aspiron të jetë pjesë e strukturave euroatlantike.
“Anëtarësimi në NATO është vlerë dhe mund të them me vendosmëri tha Gjukanoviç, që Mali i Zi është i qartë në rrugëtimin e strukturave euroatlantike dhe drejt Bashkimit Evropian. NATO është stabilitet i garantuar për Ballkanin dhe vendet e rajonit”, theksoi kryeministri malazez.
Gjatë fjalës së tij, Gjukanoviç vuri në dukje fqinjësinë e mirë me Shqipërisë dhe marrëdhëniet shumë të mira të bashkëpunimit mes dy vendeve, të cilat ka evolur pa u ndikuar nga zhvillimet në rajon, tha ai.
“Mali i Zi mbetet i angazhuar për anëtarësimin në NATO dhe kjo do të bëjë të mundur që të jemi vitin tjetër anëtar me të drejta të plota”- tha Gjukanoviç duke nënvizuar faktin se, ky anëtarësim do të jetë mundësi për të investuar në sigurinë e të ardhmes.
“Proçesi integrimit në NATO dhe BE janë të pa ndashme. Mali i Zi, do të vazhdojë proçesin e reformave me qëllim që ecë drejt të ardhmes evropiane. Mali i Zi ka qënë i vetmi vend që nuk ka pasur luftë pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe ne dëshirojmë ta vazhdojmë këtë klimë edhe në të ardhmen”-tha ai.
I pyetur mbi influencën ekonomike të Rusisë dhe ndikimin e saj ndaj Malit të Zi, Kryeministri Gjukanoviç tha se, “Mali i Zi, në rastin tradicional ka pasur marrëdhënie të mira me Rusinë, por kjo nuk do të thotë që Mali i Zi t’i japë Rusisë të ardhmen e vet. Ne duam të marrim përgjegjësi për të ardhmen e vendit dhe duam të jemi pjesë e Bashkimit Evropian”, deklaroi ai.
Ne e kuptojmë që është në interesin e Rusisë të jetë një lojtar i rëndësishëm por çdo vend duhet të shohë të ardhmen e vet, vijoi Gjukanoviç.
Ndërsa theksoi faktin se, Mali i Zi do të përpiqet të ketë dialog me Rusinë, por zgjerimi në NATO është aspirat dhe vizioni i së ardhmes.