Partia Agrare Ambientaliste do të bojkotojë për 10 ditë punimet e Kuvendit duke u bërë kështu pjesë e vendimit të opozitës. Vendimi në fjalë u komunikuan nga kryetari i PAA, Agron Duka, gjatë një takimi me strukturat në Korçë.
“Kohët e fundit, jo për faj të opozitës, po për shkak të mazhorancës nuk arrihet një gjuhë komunikimi, por përjashtimi i një prej deputetëve të opozitës siç është zoti Berisha. Prandaj edhe opozita ka marrë vendimin që gjatë këtyre 10 ditëve kur është i përjashtuar zoti Berisha me të padrejtë të mos marrë pjesë por të bojkotojë punimet e Parlamentit. Partia Agrare Ambientaliste bashkohet me Partinë Demokratike në bojkotin e Parlamentit për 10 ditë”, tha ai.
Bojkoti sipas Dukës, nuk është gjëja më e mirë që mund të bëjmë por kur kjo diktohet edhe kur nuk ka rrugë tjetër. “Uroj që mazhoranca dhe opozita të mundohen të gjejnë gjuhën e përbashkët ndërmjet tyre në mënyrë që nëpërmjet realizimit të reformave të domosdoshme jo vetëm për politikën por për gjithë shqiptarët siç është ajo e drejtësisë dhe reforma zgjedhore të mund të bëjnë që ky popull të ecë akoma më shumë përpara”, tha ai.
Po ashtu kryetari i Partisë Agrare Ambietaliste lëshoi akuza të forta ndaj qeverisë në lidhje me situatën e rëndë ekonomike të krijuar në vend.
Ai i bëri thirrje Qeverisë të heqë dorë nga rruga pa krye që ka nisur. “Ekspertët e Bankës Botërore vlerësojnë se Shqipëria është e fundit në të gjithë rajonin sa i përket uljes së varfërisë. Ngjarja e ditëve të fundit, e biznesmenit të huaj, i cili u deklaroi qeveritarëve tanë se për shkak të taksave mbytëse u detyrua të pushonte 80 punonjës duket se vërteton këtë pohim, ashtu sikurse e vërtetojnë këtë gjendje të vështirë ekonomike edhe vetë shifrat e INSTAT-it. Bankat nuk po i mbështesin më bizneset me kredi. Banka botërore na informon gjithashtu se të paktën 35 kompani të mëdha shqiptare janë në listën e bizneseve që kanë kredi me probleme”.
ma.me