Zinedine Zidane hyn në histori, duke u bërë njeriu i shtatë që fiton Kupën e Kampioneve/Champions League si lojtar dhe trajner. Asi francez vulosi triumfin e Real Madridit kundër Bayer Leverkusen 14 vjet më parë në Glasgow të Skocisë, me golin fantastik që solli fitoren 2-1, ndërsa mbrëmë drejtoi të bardhët drejt titullit të 11-të.
Para tij, vetëm gjashtë njerëz e kishin arritur, që të gjithë të famshëm për sukseset e tyre.
I ndjeri Miguel Munoz fitoi Kupën e Kampioneve me Real Madrid më 1956 e 1957 si lojtar dhe më 1966 si trajner. U ndoq nga Giovanni Trapattoni, kampion si lojtar me Milanin më 1963 e 1969, më pas si trajner me Juventusin më 1985. Një emër edhe më i madh u bë i treti, Johan Cruyff, tri herë triumfues me Ajax më 1971, 72, 73 dhe më pas me Dream Team të Barcelonës, më 1992, si trajner.
Lista vazhdon me dy fitues të tjerë të ardhur nga Milani i madh i Arrigo Sacchit. Carlo Ancelotti dhe Frank Rijkaard fituan së bashku te Milan, më 1989 e 1990, me holandezin që e përsëriti suksesin edhe me Ajax më 1995. Italiani fitoi si trajner me Milanin më 2003 e 2007 dhe me Realin më 2014. Rijkaard me Barcelonën, më 2006, para se t’ia linte vendin Pep Guardiolës, fitues më 2009 e 2011, pasi kishte fituar si lojtar më 1992.
Tani është edhe Zidane, francezi i parë në këtë listë ekskluzive fituesish në fushë dhe stol bashkë.
D.I.