Ndriçim Sadushi, shqiptari 43-vjeçar i cili vuante dënimin në burgun Belmarsh të sigurisë së lartë në Londër u gjet i vdekur në qelinë e tij dje.
Ai ishte goditur nga një atak kardiak, ndërsa nga mediat britanike është quajtur si i burgosuri që bënte “protesta të pista” pasi qelia e tij ishte e mbuluar me feçe dhe urinë. I dënuari shqiptar vdiq vetëm dy orë pasi u dërgua në spital.
Sadushi vuante nga depresioni dhe më herët kishte tentuar të vetëvritej katër herë brenda një jave, ndërsa rasti më i fundit ishte 20 janarin e vitit të kaluar ku ai kishte prerë veten në qafë me një plagë 3 centimetra. Në atë kohë – siç dëshmojnë mjekët – qelia e tij ishte e mbuluar me një pellg me gjak. Pas mjekimit në spital, Sadushi shkoi në qeli me katër plagë të qepura. Ai kishte një histori të gjatë të vetëlëndimit dhe të një depresioni të heshtur – shkruajnë mediat- duke shtuar se shpesh Sadushi lëndonte plagët e hapura që kishte në trup me qëllim vetëvrasjen.
Në gjyqin që ka nisur për të saktësuar shkaqet e vdekjes së shqiptarit, u tha se humbjet e përsëritura të gjakut gjatë tentativave të mëparshme të vetëvrasjes që ka kryer shqiptari, mund të kenë çuar në një nivel të ulët të oksigjenit duke ndikuar organet, në veçanti trurin.
Shqiptari vihej shpesh nën kontrollin e infermiereve për shkak të “protestës” së tij me veten duke tentuar të lëndohej me shpresën se një ditë do të vdiste. Mëngjesin e ditës kur ai ndërroi jetë infermieret kanë dëshmuar se e kanë kontrolluar atë dhe se Sadushi ishte i vetëdijshëm pasi e kanë dëgjuar të gërhasë. Por pyetur nga hetuesit përse nuk u përpoq ta zgjojë infermierja Aubrey Amar-Ojok tha: “Z. Sadushi mund të bëhet shumë nervoz nëse zgjohet dhe për shkak se unë nuk pashë ndonjë shenjë shqetësuese nuk e zgjova atë”.
Gjykata ishte duke konsideruar kërkesën për ekstradim të Sadushit për tu përballur me akuzat për vrasje në Shqipëri. Vrasësi kishte aplikuar për azil në Mbretërinë e Bashkuar, e cila i ishte refuzuar para se të vdiste.
Ndriçim Sadushi vrasës i trefishtë
Ndriçim Sadushi u arrestua në vitin 2012 në Britaninë e Madhe pas 15 vitesh arratie. Në Shqipëri, ai është dënuar për tre vrasje dhe një tentative vrasje të ndodhura në vitin 1997, ndërsa bënte pjesë në të ashtuquajturën banda e Tan Kateshit në Elbasan. Pas ikjes nga Shqipëria ku mori dënim, Sadushi kishte pasur një histori të gjatë kriminale. Në Itali, ai është akuzuar për pastrim parash e trafik droge, ndërsa kishte mundur të hynte ilegalisht në Britani në vitin 2000. Për vite të tëra i ishte fshehur policisë edhe pse ishte një nga personat më të kërkuar dhe sipas mediave britanike u arrestua sepse ushtronte dhunë ndaj gruas, dhe pas marrjes së shenjave të gishtërinjve u vërtetua se ai ishte Ndriçim Sadushi, njeriu i kërkuar për tre vrasje, drogë e pastrim parash.
Tema/d.i.