Partia Socialiste i ka kërkuar sot PD-së të përgjigjet për dy deputetë në grupin parlamentar, të cilët sipas PS kanë rekorde kriminale.
Bëhet fjalë për Flamur Nokën dhe Alban Zenelin. Zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Elisa Spiropali i drejtoi disa pyetje PD-së.
“Lulzim Basha dhe Partia Demokratike nuk po përgjigjen për Flamur Nokën i cili në Formularin e Dekriminalizimit, në rastin më të mirë, ka bërë deklarim të rremë dhe dënohet nga ligji me heqje të mandatit. Në këto rrethana kryetarit të Shqupit Berisha dhe kukullës së tij Basha, po u drejtojmë këto pyetje;
Zotërinj shqupista, po për dënimin dy herë me burg të deputetit tuaj Alban Zeneli, në 1992 dhe 1996, çfarë keni për tu thënë shqiptarëve?
Meqenëse sipas asaj që ju predikoni, faji nuk është i deputetit të dënuar, por i juaji që e vendosët në listë, ç’mund të thoni dhe çfarë qëndrimi mbani ju për Flamur Nokën dhe Alban Zenelin?
A mbani ju përgjegjësi për emërimin në listën tuaj fituese të këtyre deputetëve?
Ky pra zotërinj, është ndryshimi mes nesh dhe jush. Për ne çdo shqiptar është i barabartë përpara Ligjit. Kur një deputet i yni shkel ligjin ne e largojmë nga radhët tona dhe e lemë në dorë të drejtësisë.
Ju jo. Për ju gjithçka është teatër, teatër i keq, i ngatërruar, ku aktorët nuk dëgjojnë mirë fjalët e shqiptuara nga sufleri i lodhur.
Tashmë që nga 19 kriminelët e shpallur nga ju me aq bujë në radhët e shumicës, nuk gjetët asnjë të vetëm, thoni të paktën dy fjalë për dy të burgosurit tuaj. Flisni. Ne dhe shqiptarët po ju presim.”, deklaroi Spiropali./a.m.