Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me projektin e UNDP-së “EIMMS” dhe Kopshtin Botanik Tiranë zhvilloi një orë të hapur për biodiversitetin dhe speciet më të përhapura në zonën e Tiranës me nxënësit e klasave të 10-ta të shkollës së mesme të përgjithshme “Sami Frashëri” Tiranë.
Odeta Çato, Kordinatore e Projektit UNDP-EIMMS, prezantoi konceptin “Qytetari Shkencëtar”, si pjesë e aktivitetit BioBlitz, të organizuar nga National Geographic dhe që ka për synim të katalogojë speciet e ndryshme që gjenden në mbarë globin nga qytetarë që fotografojnë specie të ndryshme dhe i ngarkojnë ato në portalin INaturalist, duke saktësuar datën, llojin e species dhe gjeoreferencimin.
Në këtë projekt, klasa e përzgjedhur e kësaj shkolle është regjistruar në këtë portal dhe në ditët në vijim do të kryejë një vizitë studimore në terren, tek Kopshti Botanik i Tiranës, ku pasi të kenë shkarkuar aplikacionin dhe të kenë mbledhur të dhëna për speciet që gjenden në këtë Kopsht, do të kontribuojnë me fotot e tyre në katalogimin e florës dhe faunës së Kopshtit Botanik Tiranë, si pjesë e portalit INaturalist.
Gjatë orës së hapur mësimore përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit mbajtën një prezantim mbi Programin Kombëtar të Edukimit Mjedisor dhe Konventën e Aarhusit, ku nxënësve iu shpjegua vendi që duhet të zërë mjedisi jo vetëm në kurrikulat mësimore, por dhe në jetën dhe sjelljen e tyre të përditshme, duke treguar kujdes të vazhdueshëm ndaj gjithçkaje që na rrethon.
Gjithashtu nxënësit u njohën me parimet e demokracisë mjedisore, që sanksionon Konventa e Aarhausit, të drejtat e nxënësve si qytetarë të këtij vendi dhe rrugët sesi ata duhet të ushtrojnë këto të drejta për të njohur mjedisin dhe për t’u bërë pjesë e vendimeve me ndikim në mjedis, që ndërmarrin drejtuesit e qytetit të tyre.
Specialistë të ministrisë së Mjedisit bënë një panoramë të përgjithshme të biodiversitetit në Shqipëri, pasurisë së florës dhe faunës në vendin tonë.
Gjithashtu, një vend i veçantë iu kushtua edhe kategorizimit të zonave të mbrojtura dhe nivelit të mbrojtjes që tregohet për këto zona sipas kategorizimit, referon Koha. (b.an)