Largimi i opozitës nga salla dhe mungesa e pjesës më të madhe të deputetëve të koalicionit qeverisës kanë bërë që maxhoranca të mos plotësojë kuorumin për kalimin e ligjeve në Parlament. Kjo nuk është hera e parë që për shkak të mungesës së 71 deputetëve në momentin e votimit, shumica shtyn miratimin e ligjeve.
Edhe dy javë më parë, pasi diskutuan deri në orën 22:30 në seancë plenare, përfaqësuesit e maxhorancës kërkuan që të shtyhej procesi i votimit për javën e ardhshme. Krahas mungesës së deputetëve në sallë, ajo që ra në sy në seancën plenare të kësaj të enjteje ishte edhe mungesa e pjesës më të madhe të ministrave të qeverisë.
Pavarësisht mungesave, maxhoranca tentoi deri në fund të seancës të plotësonte numrat në Parlament. Kështu, përpara se deputeti socialist, Ben Blushi, të merrte fjalën, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, njoftoi se, pasi të flitej në emër të grupeve parlamentare, do të zhvillohej procesi i votimit.
Po kështu, në të njëjtën kohë, ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, po përgatitej për zhvillimin e interpelancës për Rrugën e Arbrit të kërkuar nga Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Por në përfundim të diskutimeve për marrëveshjen e huas mes qeverisë shqiptare dhe KFV Frankfurt AM MAIN për financimin e projektit “Linja e transmetimit 400 kilovolt Shqipëri–Kosovë”, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, pasi nuk mori një konfirmim pozitiv nga socialistët për numrin e deputetëve në sallë, njoftoi edhe përfundimin e seancës.
“Atëherë, faleminderit për diskutimet. Lidhur me votimet dhe interpelancën, do të zhvillohen në seancën e ardhshme”, tha Meta. Ajo që binte në sy, përpara se kreu i Kuvendit të mbyllte seancën plenare, ishte mungesa e thuajse gjysmës së deputetëve të PSsë, mungesa e përfaqësuesve të PDIU-së dhe disa deputetëve të LSI-së.
Ndërkohë deputetët e PD-së, pavarësisht se kanë diskutuar për rreth 6 orë në seancë plenare, vendosën sërish t’i lënë në mungesën e numrave maxhorancën, duke mos votuar asnjë nga ligjet.
Mungesën e përfaqësuesve të shumicës në sallë, maxhoranca e justifikoi me nxitimin për të përfunduar seancën e së enjtes, për të vijuar me përgatitjet që do të zhvilloheshin për Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Tiranë./Panorama/a.m.