U zhvillua sot Sesioni Përmbledhës i Konventës për Integrimin Europian. Objektiv i konventës është institucionalizimi i debatit publik në çështje të lidhura me BE-në, mbështetur në bashkëpunimin mes qeverisë, shoqërisë civile dhe bizneseve.
Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha e pranishme sot në këtë aktivitet theksoi rëndësinë që ka kontributi i gjithë aktorëve për procesin e integrimit. Ministrja u shpreh se për të çuar përpara procesin e integrimit janë të nevojshme aksionet konkrete të ekspertëve, të qytetarëve, të të gjitha grupeve të interesit.
“Ne sot kemi nevojë të ndjekim praktikat më të mira të vendeve që kanë kaluar nëpërmjet këtij procesi përpara nesh. Të mësojmë prej tyre. Ajo për të cilën kemi nevojë gjithashtu, janë pikërisht rekomandimet dhe ekspertiza konkrete, duke i paraprirë madje pse jo edhe institucioneve shtetërore e duke i vënë ato përpara një përgjegjësie më të madhe”, tha Ministrja Gjosha.
Ministrja u shpreh se Ministria e Integrimit Europian, e cilëson gjithëpërfshirjen prioritet shumë të rëndësishëm, duke shprehur bindjen se progresi i Shqipërisë në rrugën e integrimit, nuk mund të bëhet ndryshe.
“Sigurisht gjithëpërfshirja, realizohet pikësëpari nga institucionet shtetërore, por pjesëmarrja e aktorëve të tjerë është thelbësore. Ministria e Integrimit i është përmbajtur rolit të saj koordinues për të standardizuar konsultimet më këta aktorë, duke i pasur periodike ku veçanërisht me shoqërinë civile jemi përpjekur të kemi një bashkëpunim konkret dhe të frytshëm”, tha Ministrja Gjosha.
Nëpërmjet Konventës synohet rritja e pjesëmarrjes të të gjithë segmenteve të shoqërisë shqiptare në formulimin e politikave kombëtare, forcimin e aftësive të ekspertëve në negocimin për integrimin europian si dhe krijimi i një kanali të qëndrueshëm dhe interaktiv informimi për publikun e gjerë.
Në sajë të kësaj konvente janë ngritur katër Grupe Pune, ku secili përbëhet nga përfaqësues të strukturave qeveritare, si dhe ekspertë nga OJF-të, media, akademia dhe sektori privat. Grupet e Punës adresojnë kapitujt më sfidues për procesin e pranimit të Shqipërisë në BE: Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore; Drejtësia, Liria dhe Siguria; Bujqësia dhe Zhvillimi Rural; si dhe Mjedisi./a.m.