“Nderi lahet me gjak”. Kështu shkruajnë mediat italiane për vrasjen e shqiptarit Petrit Nikolli në Itali.
Sipas hetimeve të skuadrës policore në Rimini, bëhet fjalë për një konflikt në familje për të cilin ai kishte ndërhyrë që ta zgjidhte.
Sipas disa burimeve Nikolli në ditët e kaluara, shkoi në Milano ku jetonte mbesa e tij e martuar me një shqiptar.
Martesa e vajzës nuk ishte fare e lumtur dhe mes tyre kishte konflikte. E reja, keqtrajtohej dhe dhunohej nga burri shqiptar.
Pikërisht për të zgjidhur këtë situatë, Nikolli e merr mbesën nga shtëpia e burrit në shtëpinë e tij, prej disa ditësh.
Të mërkurën në mbrëmje vrasësi së bashku me babanë e tij dhe dyshohet edhe me një person të tretë u nisën nga Milano në Rimini për të sqaruar situatën.
Vrasësi e takoi Nikollin pikërisht ne vendin ku ka ndodhur edhe krimi. Aty thuhet se plasi një debat i ashpër sepse burri donte që të merrte gruan e tij mbrapsht në shtëpi.
Nikolli e la debatin në mes, i ktheu shpinën burrit të mbesës dhe u nis të ikte. Por ky i fundit nxori pistoletën që kishte me vete dhe e qëlloi duke e lënë të shtrirë përtokë.
Policia ra menjëherë në gjurmët e autorëve dhe gjatë natës i ka marrë në pyetje si burrin dhe vjehrrin e mbesës së viktimës. Në pyetje është marrë edhe një person i tretë, roli i të cilit në vrasje ende nuk është specifikuar.
Panorama/d.i.