Prokuroria e Tiranës kërkon dënimin me 12 vjet burgim për të pandehurin Namik Pelivani, administrator i subjektit ndërtues “Pelivani” shpk, i akuzuar për mashtrim me pasoja të rënda. Nga hetimet, ka rezultuar se i pandehuri nuk ka respektuar kontratën që kishte nënshkruar me disa familje për të shfrytëzuar truallin ku ishin ndërtuar shtëpitë e tyre, për ndërtimin e një pallati në zonën e Unazës së Re, në Tiranë.
Në mars të vitit 2015, pjesëtarë të këtyre familjeve kallëzuan administratorin Namik Pelivani për mashtrim, pasi më parë ishin ngjitur në formë proteste publike në tarracën e pallatit që po ndërtohej prej tij në truallin ku më parë ishin shtëpitë e tyre.
Procesi ndaj të pandehurit është zhvilluar me gjykim të shkurtuar. Për këtë arsye, i pandehuri përfiton uljen me 1/3 e dënimit nëse shpallet fajtor. (tch / r.a)