Besnik Hasi nuk do të jetë më trajner i Anderlechtit, por mund të marrë shumë shpejt drejtimin e një klubi tjetër gjigant, Gallatasaraj.
Ish-mesfushori i Shqipërisë do të largohet nga skuadra me të cilën ka luajtur e ku shërbeu fillimisht si ndihmëstrajner e më pas trajner, duke fituar edhe titullin kampion.
Hasi ka qenë gjithmonë i preferuari i presidentit të Anderlechtit, Roger Vanden Stock, i cili nuk e lejoi asnjëherë të largohej, në kohën kur e kërkonin klube të tjerë belge, si dhe kombëtarja e Shqipërisë, para Gianni De Biasit.
“Hasi është e ardhmja e këtij klubi”, thoshte Vanden Stock, duke e bërë të qartë se do të ishte pikërisht ai trajneri, çka edhe e bëri realitet. Pas titullit dhe një paraqitjeje të mirë në Champions League e më pas Europa League, kuotat e Hasit u rritën, por sezoni i fundit nuk ishte i mirë për një klub si Anderlecht, që kërkon përherë trofe, edhe pse në dispozicion të Hasit ishte një skuadër krejt e re, me talente, por pa përvojë.
Komunikata zyrtare pritet të jepet nesër, por ndarja është e sigurt, e pohuar edhe nga vetë gjakovari, i cili është shprehur se “ka marrë fund”, për lidhjen me Anderlechtin.
Ndërkohë, shtypi turk shkruan se trajneri shqiptar javën e ardhshme do të ulet në bisedime me Gallatasarajin. 44-vjeçari është tani kandidati kryesor për verdhekuqtë, pasi rumuni Mircea Lucescu (ish-Shahtjor) zgjodhi Zenit Shën Pjetërburg, ndërsa zvicerani Lucien Favre (ish-Borussia M’Gladbach) shkoi te Nice në Francë.
Nga Turqia, edhe Trabzonspor mendon për Hasin në drejtim, por ish-lojtari kuqezi ndoshta do të vendosë për gjigantin e Stambollit, i cili këtë vit u shfaq zhgënjyes, por mund të fitojë sot në mbrëmje Kupën e Turqisë, në finalen përballë Fenerbahçes.
D.Ikonomi