Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MPB) gjatë vitit të fundit ka dhënë një numër të madh vendimesh të dëmshme për qytetarët e nacionalitetit shqiptar në jug të Serbisë, e sidomos për ata nga Medvegja.
Me këto vendime pasivizohet vendbanimi i tyre i deriatëhershëm dhe kështu personat humbën mundësinë që të nxjerrin dokumentet personale ose vazhdimin e tyre, por edhe shërbimet shëndetësore e shkollimin e njëkohësisht atyre u rrezikohet edhe e drejta e tyre për zgjedhje, është thënë nga Fondi për të Drejtën Humanitare(FHP)për gazetën e Beogradit Danas, transmeton Koha.net.
Vendimet e MPB të Serbisë, të cilët i posedon FHP, kanë të bëjnë për personat me origjinë nga Medvegja ose nga fshatrat që i përkasin kësaj komune.
Disa nga ta, në periudhën 1999-2001, për shkak të represionit të pushtetit të atëhershëm serb kanë ikur në Kosovë, porse shumica e tyre një pjesë të kohës e kalon në shtëpitë e veta në Medvegjë.
Po ashtu theksohet se kjo praktikë zbatohet edhe në Bujanoc por me vëllim më të vogël.
Gazeta e ka pyetur për sqarime MPB-në por thekson se nuk ka marrë përgjigje.
“Banorët shqiptarë të Medvegjës e Bujanovcit në këtë mënyrë bëhen të huaj e jo shtetas të Serbisë që janë që nga lindja.
Fakti se përkohësisht ose përgjithnjë jetojnë në Kosovë ose në ndonjë shtet tjetër nuk duhet të ketë ndikim në realizimin të drejtave që si shtetas të Serbisë i kanë.
Veç kësaj, këto masa, vetëm se përfaqësojnë vazhdimin e politikës së dëbimit dhe të diskriminimit sistematik të shqiptarëve, që në 20 vjetët e fundit janë bërë shpesh edhe me masa represive”, thekson Fondi. (b.an)