Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese zhvilloi sot një seancë dëgjimore me grupet e interesit lidhur me projektligjin “Për zejtarinë në Republikën e Shqipërisë” .
Perfaqesues te ketij sektori paraqiten pretendimet e tyre në Komisionin e Kuvendit, ku nder te tjera u ndalen ne piken e debatuar mbi anëtarësimit e tyre ose jo në dhomat e tregtisë.
Projektligji vjen si një risi në këtë fushë. Deri më sot nuk ka pasur një ligj që të rregullonte veprimtarinë zejtare, kualifikimin dhe aftësimin profesional në zejtari dhe organizimin e zejtarëve e ngritjen e Dhomës Kombëtare të Zejtarëve, thuhet në relacionin e qeverisë. Vendet e rajonit ku ne bëjmë pjesë, si Kroacia, Kosova, Bosnjë – Herzegovina, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia, Bullgaria, e kanë rregulluar zejtarinë dhe ushtrimin e organizimin e zejeve me ligj të posaçëm, duke bërë që të jemi i vetmi vend ku nuk ka një rregullim të tillë.
Ligji gjithashtu synon të forcojë partneritetin publik- privat, të kompanive e të institucioneve publike të formimit profesional dhe arsimit profesional për të siguruar lidhjen kualifikim të orientuar nga tregu i punës. Projekligji gjithashtu bën të mundur certifikimin e eksperiencave të mëparshme profesionale të fituara jashtë apo brenda vendit nëpërmjet një sistemi joformal arsimi.
Me këtë ligj krijohet Dhoma Kombëtare e Zejtarisë që është një organizatë e zejtarëve të Republikës së Shqipërisë. Ajo do të mbështetë dhe do të përfaqësojë interesat e përbashkët të anëtarëve të saj si dhe do të ndikojë në krijimin dhe forcimin e imazhit të ndërmarrjeve të zejtarisë.
Projektligji përcakton financimin e Dhomës Kombëtare të Zejtarisë e cila do të jetë me financim nga: kuotat e anëtarësisë, shërbimet që ofron vetë Dhoma, çdo financim tjetër i ligjshëm (donatorët), si dhe nga buxheti i shtetit. Për të lehtësuar zbatimin e këtij ligji nga subjektet zejtare dhe në kushtet e një mungese të një tradite të mëparshme të një Dhome Kombëtare Zejtarie është menduar që në dy vitet e para të krijimit të saj kjo Dhomë të mbështetet financiarisht nga buxheti i shtetit. (javanews.al /r.a)