Policia e Shtetit ka zbuluar dy autorët e dyshuar për vrasjen e shtetasit Elton Çiço në një lokal të Tiranës, ku njëri prej tyre është dhe djali i Hysni Milloshit, ish kreut të Partisë Komuniste.
Ndaj shtetasve të dyshuar të identifikuar me emrat Jani Alia dhe Renato Milloshi gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë. Policia ka vendosur shpërblim prej 500 mijë lekësh të reja për këdo që jep informacion për gjetjen e tyre.
DEKLARATA E POLICISË
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Strukturat Qendrore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit dhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një pune intensive në aspektin gjurmues dhe procedurial kanë bërë të mundur zbulimin, dokumentimin dhe identifikimin e autorëve të ngjarjes së ndodhur në lokalin “De Niro” në datë 1 Maj 2016, ku mbeti i vrarë pas një atentati shtetasi Elton Çiço, person të njohur si me precedentë kriminalë.
Autorët e dyshuar të kësaj vepre penale janë shtetasit:
· Jani Naim Alia, 39 vjeç, lindur dhe banues në Tepelenë.
· Renato Hysni Milloshi, 36 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, të 2 me precedentë të mëparshëm kriminalë për vepra të rënda penale.
Për të dy këta dy shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimet nr. 1379 dhe 1380 dt. 24 maj 2016 ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Gjatë hetimeve intensive për zbulimin e kësaj ngjarje të rëndë janë mbledhur një sërë provash të vlefshme të cilat kanë ndihmuar në zbulimin e dokumentimin ligjor të kësaj ngjarje të rëndë. Ndërkohë vazhdon puna për dokumentimin me prova ligjore të të gjithë mekanizmit kriminal të ngjarjes si dhe personave të tjerë që mund të rezultojnë të përfshirë.
Për këtë ngjarje, aktualisht janë arrestuar edhe 2 persona të tjerë për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Në këtë kuadër, Policia e Shtetit i kërkon ndihmë publikut në dhënien e informacioneve për vendndodhjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim si persona me rrezikshmëri të lartë.
Ndihma e qytetarëve është themelore për arrestimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të dyshuar për këtë vrasje. Qytetaraët që kanë informacion, mund të telefonojë në numrin 069 41 10 299, duke siguruar anonimat të plotë. Çdo informacion i vlefshëm do të shpërblehet me 500 mijë lekë të reja. Gjithashtu Policia e Tiranës siguron qytetarët se do të punojë maksimalisht për parandalimin dhe dokumentimin e të gjitha veprave penale me qëllim krijimin e një ambienti më të sigurt për ta.
VRASJA E ELTON ÇIÇOS