Nga Mentor Kikia
Në vitet 1991-1992, kur Shqipëria ishte si ai njeriu që ka dalë nga burgu pas 45 vjetësh dhe nuk njeh më as lagjen, as rrugët, as fqinjët dhe ecën kuturru, ata që donin të na jepnin kurajë na thanë: Ju do të ndyrshoni, keni pasurinë më të madhe që Evropa nuk e ka, keni njerëzit e rinj në moshë, keni enegjinë njerëzore. Shqipëria kishte atë kohë një moshë mesatare që llogaritej rreth 28 vjeç. Por energjia jonë rinore u derdh nëpër Evropë, duke filluar me ambasadat, anijet, gomonet, marshimet nëpër male, duke vijuar edhe sot me avionë e autobuza.
Më 1 Janar, në Shqipëri kishte 2.886.026 milionë banorë, ose 6.276 më pak se një vit më parë. Në 3-mujorin e fundit të 2015-ës, numri i lindjeve kishte rënë me 2% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2014-ës. Raporti i sapo publikuar i INSTAT-it tregon se mosha mesatare e popullisë sonë është rritur me 5.4 vite vetëm brenda dekadës së fundit. Nga 31.8 vjeç qe ishte në vitin 2006-të, ajo ishte 37.2 vjeç vitin e kaluar. Ende shumë e re po të krahasohesh me Gjermaninë apo Francën (që sot kujdesin ndaj të mosharve e kanë sfidën më të madhe) por e frikshme po të shikosh ritmet e plakjes. Shkaku sipas zyrës së statistikave është rënia dramatike e lindjeve dhe emigrimi masiv, veçanërisht i të rinjve dhe familjeve të reja, me fëmijë të vegjël.
Pa shumë komente, sipas vlerësimit të Bankës Botërore, me këto ritme të rënies së lindshmërisë, Shqipëria është vendi i tretë në botë me plakjen më të shpejtë pas Rusisë dhe Koresë së Jugut. Statistikat tregojnë se në Francë u deshën dy shekuj, që lindshmëria të binte nën 5 fëmijë për një grua. Në Shqipëri, u deshën më pak se 40 vjet, dhe pikiata u shënuar çerekshekullin e fundit. Sipas ekspertëve të studimeve demografike, me këto ritme largimi të të rinjve dhe ulje të lindshmërisë, që pritet të thellohen, në vitet ’30-të të këtij shekulli, në Shqipëri një e treta e popullisë do të jetë mbi 65 vjeç.
Për studiuesit e demografisë situata është më shumë se e rëndë. Parashikimet për të ardhmen e afërt të shoqërisë sonë janë më shumë se dramatike. Shumë shpejt do të kemi një shoqëri me të moshuar dhe pa fëmijë, që s’do të ketë kush të shërbejë, në rrezik kolapsi pensionesh, pa fuqi punëtore, pa fuqi konsumi. Duket pak apokaliptike kjo? Patjetër që duket, por është e vërtetë.
Në fillim të viteve ’90-të, shqiptarët ikën dhe kjo ikje ishte shpëtim edhe për ata që mbeten këtu. Por vazhdimi i arratisë dhe pasiguria për të sjellë fëmijë në jetë është pasojë e keqqeverisjes që ka sunduar në gjithë këtë çerekshekull të fundit.
Problemi bëhet edhe më alarmant, sepse askush nuk shqetësohet për këtë. Shumica e horrave që mbushin Parlamentin as e kuptojnë dhe as shqetësohen dot për këtë çështje. Ndërsa klasa politike, është përfshirë në një spirale lufte neveritëse politike, që synon vetëm marrjen apo mbajtjen e pushtetit politik dhe ekonomik. Mungesa e drejtësisë, zhgënjimi i pandalshëm, degradimi i demokracisë, zëvendësimi me kontributiak partiak të gjitha meritave të tjera, pra, të gjithë këto e shumë të tjera si këto, kanë krijuar tek njerëzit një klimë masive terrori psikologjik, pesimizmi, pasigurie dhe dëshpërimi, që ndjehen edhe në ajër, si aroma e squfurit brenda një fabrike kimikatesh. Kjo ka bërë që të rrëmbejnë valixhet edhe ata që nuk janë në kushtet e varfërisë, madje që jetojnë mirë.
Në mos ikshin vetë, bëjnë gjithçka që fëmijët e tyre “të mos ia shikojnë më sytë këtij vendi”. Aplikimet e fundit për Lotarinë Amerikane ishin një dëshmi ulëritëse.