Veprimtaria e dyshuar kriminale, Ukë Rugovës i ka sjell një fitim gati dy milionë euro. Ai kishte ndërtuar një rrjet funksional, që pajiste njerëzit me viza Schengen në këmbim të 3.000 deri në 4.000 euro pa asnjë problem. Aplikacionet për viza shoqëroheshin me një letër rekomandim të titulluar: “Familja e Presidentit Rugova”. 556 kosovarë janë bërë “pjesë” e Familjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova. Këtë privilegj, ua ka shitur Uka, djali i dytë i presidentit historik të Kosovës.
Për secilin prej tyre, Uka ka lëshuar një letër “në emër të Familjes së presidentit Ibrahim Rugova”, me të cilën kanë marrë viza Schengen në Ambasadën Italiane në Prishtinë. Në këmbim dyshohet se kanë paguar 3.000 deri në 4.000 euro. Rugova akuzohet se ka përfituar mbi 2 milionë euro nga zhvillimi i kësaj veprimtarie. Ndonëse me letra, këta 556 kosovarë ishin pjesë e Familjes Rugova, asnjëri prej tyre nuk ka lidhje me këtë familje. Ata, ishin klientë të paligjshëm të Ukës.
Aplikacionet për viza shoqëroheshin me një letër të titulluar: “Familja e Presidentit Rugova”. Kur, Rugova kishte konsideruar se është bërë numër i madh njerëzish të pajisur me viza në emër të familjes, kishte shkruar një letër tjetër: “LDK – Lista dr. Ibrahim Rugova”.
Përfitimet kriminale të grupit të dyshuar prej 20 personash të drejtuar nga Ukë Rugova, janë nxjerrë prej një hetimi 30 muajsh që ka rezultuar me ngritjen e një aktakuze që ka 18 pika, që ka siguruar Insajderi.
Në shumicën prej tyre është Ukë Rugova si lider i “grupit kriminal” që është marrë me kontrabandim me migrantë. Rugova, akuzohet për vepra të rënda penale të krimit të organizuar. Nëse vërtetohen ato, rrezikon të dënohet me shumë vjet burgim. Ndër pikat e akuzës, ka edhe një për posedim të paautorizuar të armëve. Dy revole dhe mbi 400 fishekë i ishin gjetur në rezidencën e dikurshme të presidentit Rugova i cili njihet si njëri prej pacifistëve më të mëdhenj të Evropës.
Në pikën 11 të aktakuzës, Rugova akuzohet për armët e gjetura. Ato i zbuluar gjatë bastisjes që kishte ndodhur më 5 dhe 6 shkurt 2014 në Rezidencën e ish-presidentit Rugova, që tash është në pronësi të familjes së tij. Policia kishte konfiskuar një pistoletë Sig Sauer 9×19 mm me numër serik C5773 dhe dy karikatorë, një revolver Zastava M83/92 Magnum 357, 50 fishek të kalibrit 357 dhe 382 fishekë tjerë.
Rugova akuzohet nga prokurori i EULEX-it, Allen Casnick, se prej muajit maj 2011, deri në muajin shkurt 2014, ka krijuar, organizuar, mbikëqyrur, menaxhuar dhe – ose drejtuar aktivitetet e një grupi të organizuar kriminal. Pjesë e këtij grupi akuzohet se është edhe ish-ministri, Astrit Haraqija. Në cilësinë e sekserit, ai akuzohet se ka siguruar të paktën 80 klientë.
“Qëllimi i grupit të organizuar kriminal ka qenë përfitimi material, duke furnizuar individë me viza Schengen të BE-së nga Ambasada Italiane në Prishtinë të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme…, nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit”, thuhet në aktakuzën që ka siguruar Insajderi.
Të gjithë pjesëtarët e grupit të përbërë prej Ukë Rugovës, Izet Beqirit, Florjan Petanit, Qefser Bahollit, Astrit Haraqisë, Fitim Beqirit, Azad Beqirajt, Liridona Beqirit, Kujtim Avdylit, Ragip Gashit, Visar Beqirit, Hamza Beqirit, Azem Koskovikut, Edison Idrizajt, Beg Shaqirit, Hasan Shaqirit, Driton Vocës, Valon Selimit, Fadil Ahmetit dhe Haxhi Islamit akuzohen për krim të organizuar që lidhet me kontrabandimin e migrantëve.
Nën hetime në Itali si të dyshuar për vepër penale janë edhe ish-ambasadori italian në Prishtinë, Michael Giffoni dhe zyrtari Fawzi Hebib. Gjatë kohës së hetimeve prej 30 muajsh, prokuroria pretendon se ka siguruar shumë prova. Mes tyre janë 38 aplikacione për viza italiane që mbulojnë periudhën maj 2011, deri në korrik 2012 janë gjetur në shtëpinë e Ukë Rugovës.
Të akuzuarit kanë mohuar akuzat. Kanë thënë se u kanë ndihmuar njerëzve, pa përfitime materiale. Në një intervistë për Tribuna Channel, Rugova ka thënë se nuk akuzohet për krim të organizuar, por vetëm për kontrabandim me migrantë dhe posedim të paautorizuar të armëve. Por, aktakuza e demanton atë. Ai akuzohet në disa pika për krim të organizuar.
“Për dallim prej akuzave fillestare që kanë qenë, tash kanë mbetur vetëm dy pika të aktakuzës kryesore që janë kontrabandë me migrantë dhe armëmbajtje pa leje”, ka thënë Rugova. Për veprën kontrabandim me migrantë për të cilën akuzohet Ukë Rugova ai thotë se nuk është aspak e vërtetë që ka bërë kontrabandë me njerëz.
“Në shtëpinë tonë prej se ka qenë edhe për të gjallë presidenti Rugova, për arsye humanitare, për t’ia lehtësuar jetën njerëzve iu kemi ofruar rekomandime nëpër ambasada të ndryshme të huaja që janë në Kosovë, që t’iu lehtësojmë procedurën e marrjes së vizave. E vetmja gjë që kemi bërë, pra ka qenë një rekomandim që kemi bërë për personat të cilët kanë pasur nevojë të udhëtojnë në Evropë”, ka deklaruar Rugova.
ma.me