Ndonëse nuk ka ende autor për atentatin e së dielës në Vlorë, Policia dyshon se motivi kryesor i atentatit të jetë për larje hesapesh. Kjo, pasi i plagosuri Armando Sulejmani ishte anëtar i bandës së Gaxhait, e cila ka vepruar në Vlorë në vitin 1997.
Ai është akuzuar dhe dënuar për vrasje, me 16 vite burg. Panorama shkruan sot se fillimisht Sulejmani i akuzuar për vrasje është dënuar me 25 vite burg, ndërsa më pas, nga shqyrtimet e mëtejshme të dosjes ai u dënua me 16 vite heqje lirie.
Dosja e tij u shqyrtua nga Gjykata e Lartë, e cila gjeti shkelje në çështje, duke mos e pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit në Vlorë, marrë në vitin 2003.
Në vitin 2012 u vendos që të shqyrtohej sërish dosja për Sulejmanin, i cili akuzohej për vrasjen e Elton Tatos, si dhe vrasjen e mbetur në tentativë të Robert Borakut. Pas rikthimit të çështjes për shqyrtim, “Çipurit” iu falën 9 vite burg.
Gjatë marrjes në pyetje, 39-vjeçari ka deklaruar se nuk i ka njohur personat që i bënë atentat, pasi ata kanë qenë të maskuar. Ndërkohë, ai nuk ka pranuar se ka pasur armë zjarri dhe se nuk ka qëlluar në drejtim të atentatorëve.
Policia dyshon se autorët e atentatit të jenë vrasës me pagesë, por jo profesionistë. Mësohet se 39-vjeçari ndodhet i shtruar në spitalin rajonal të Vlorës dhe se gjendja e tij është e stabilizuar.
Dhoma ku ndodhet i plagosuri ruhet me efektivë të policisë së rendit, të cilët nuk lejojnë që të futet brenda asnjë person përveç familjarëve të tij. Ndërkohë, burime pranë grupit hetimor dje deklaruan se Sulejmani, i cili u qëllua në hyrje të pallatit të tij (kati i parë), është ndihmuar nga kushëriri i tij për t’u ngjitur në katin e katërt të pallatit, ndërsa dy atentatorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Nga ana tjetër, burime nga policia bënë me dije se është qëlluar me armë zjarri pistoletë nga të dyja palët.
Po të njëjtat burime sqaruan se dy autorët e krimit kanë qëlluar Armando Sulejmanin (kishte pak kokë që kishte dalë nga burgu) në hyrje të pallatit të tij dhe se ky i fundit, edhe pse i plagosur, ka mundur të ngjitet në katin e katërt dhe të kundërpërgjigjet ndaj atentatorëve me pistoletë.
Mendohet se njëri nga atentatorët mund të jetë plagosur në këmbë. Pas verifikimit të kamerave të sigurisë në disa njësi tregtare të zonës, policia e Vlorës ka konstatuar se në atentatin ndaj Sulejmanit kanë marrë pjesë dy persona të moshës nga 20 deri në 25 vjeç, të maskuar dhe të armatosur me pistoletë. Nisur nga fakti se njëri nga autorët çalonte në të ecur, blutë deklaruan se ai mund të jetë plagosur.
panorama/d.i.