PD duket se po shkon drejt përplasjes me ambasadorët dhe ekspertët e huaj që asistojnë procesin e reformës në drejtësi. Rasti konkret është ai i thirrjes që bëri sot zv.ambasadori i SHBA, i cili deklaroi se s’ka më kohë për ta shtyrë më miratimin e reformës.
“Është humbur shumë kohë me këto nxitimet dhe ngulmimet e paarsyeshme mbi zgjidhje specifike që janë problematike. Durimi dhe arsyeja do të na bëjnë ne të ecim me siguri dhe shpejtësi përpara”, tha përfaqësuesi i PD-së në Komision Oerd Bylykbashi. Më qartë se kaq…
Bylybashi: Diskutuam për Vetingun, në të njëjtën linjë si më parë, u diskutua nen për nen. Ne pozicionuam përsëri qëndrimet tona, mbeten çështje që janë të karakteri të sistemit. Zgjidhja që ne propozojmë në kuadër të këtij diskutimi gjatë gjithë kësaj kohe, përfshirë dhe çfarë thotë Komisioni i Venecias dhe ekspertët ndërkombëtrare është një zgjidhje e cila një pjesë të funksioneve ja transferon institucioneve ekzistuese të sistemit të drejtësisë, pra procesin e Vetingut do ta bëjë një mekanizëm ndërkombëtar për sa i përket majave të sistemit, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gjykatës Kushtetuese, Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë dhe më pas do të jenë këto që do të bëjnë të gjithë pjesën tjetër pasi janë pastruar dhe është siguruar integriteti dhe pastaj bëjmë të gjithë pjesën e Vetingut.
Ky është këndvështrimi ynë për një sistem të thjeshtë dhe efikas që nuk është korporatist, i cili është i qëndrueshëm në kohë dhe nuk është aspak një shpikje që nuk gjendet askund, por është një model europian. Ne i bëmë propozimet tona, pala tjetër qëndron në atë që është një sistem kapje deri më sot. Me punën tonë ne kontribuojmë që ky sistem kapje të çmontohet. Këtu u mbyll si fazë diskutimesh nen për nen, tani i mbetet hapësirës për të negociuar një zgjidhje të përbashkët qoftë në aspektin politik, qoftë dhe në atë teknik sa i përket nevojës për në tekst kushtetues që është vërtet për tu përqëndruar të gjithë ne.
Si çdo proces ka vështirësitë e tij si në aspektin teknik ashtu dhe politik, me rëndësi është angazhimi. Nëse mazhoranca ngul këmbë në qëndrime që çojnë drejt këtij sistemi kapje, sigurisht vështirësohet. Ne jemi shumë të hapur që të gjejmë një zgjidhje që do tu shërbejë shqiptarëve për një periudhë afatgjatë.
Pyetje: Zëvendës.Ambasadori amerikan ka deklaruar sot se pavaraësisht negociatave nuk ka kohë për ndryshim thelbësor të projektit dhe besoj se e ka për ju.
Bylykbashi: Është humbur shumë kohë me këto nxitimet dhe ngulmimet e paarsyeshme mbi zgjidhje specifike që janë problematike. Durimi dhe arsyeja do të na bëjnë ne të ecim me siguri dhe shpejtësi përpara.