Fatos Klosi ishte i ftuari i rradhës i Mustafa Nanos në emisionin Zululand. Ndoshta për herë të parë Klosi foli hapur se si ka marrë frenat e dorës për të drejtuar Shërbimin Informativ Kombëtar nga një propozim që iu bë nga qeveria Nano për të drejtuar institucionin e ‘spiunëve’. Ai tregoi se si e gjeti shërbimin pasi ai u la nga Gazidede dhe si e ndryshoi pothuajse komplet edhe opinion në publik.
Klosi tha se jo rastësisht u ndodh përpara propozimit, pasi ai njihej me politikanët e asaj kohe për shkak të pozicionit si nënkryetar që ka mbajtur në Komisonin Qendror të Zgjedhjeve.
Duke folur edhe nga eksperienca personale, Klosi tha se për çdo informacion ka vënë në dijeni kryeministrin e asokohe Fatos Nano, dhe më pas ishin veprimet e qeverisë për marrjen e vendimeve.
Kur u pyet nga Mustafa Nano se a veproi mirë apo jo Visho Ajazi Lika që nuk bëri me dije kryeministrin për ‘skandalin’ e përgjimeve, Klosi tha se ka gabuar. “Nëse do të qëndronte në bazë të thashethemit nuk duhet të informohej as Prokurori dhe as Presidenti”, tha Klosi në studion e Zululand.
Për marrëdhënien SHISH – kryeministri, Fatos Klosin e habit fakti se si kur kryeministri Edi Rama pyetet për SHISH ai ka si përgjigje shprehjen “No comment”.
Ish-kryeministri Berisha është ndër të parët që artikulon skandale, vjedhje, korrupsion ndaj qeverisë Rama-Meta. Por a ka të vërteta në ato që thotë? Fatos Klosi i rikthehet kohës së tij kur Berisha sulmonte SHIK-un e asaj kohe dhe qeverinë Nano. “Berisha, që të tregohem më tolerant, gënjente 99.9 përqind në ato që thoshte, për mos thënë 100%. I dija shumë mirë gjërat, ndaj e shihja që ai gënjente”, tha Klosi ndërsa e vlerësoi për disa gjëra, sidomos për marrjen e informacioneve.
Ndërsa duke qëndruar tek puna e SHISH dhe rekrutimi i bashkëpuntorëve, Klosi tha se është e vështirë të gjesh bashkëpuntorë, duke rrëzuar poshtë edhe shprehjen e të ndjerit Azem Hajdari: “1/3 e shqiptarëve ishin hajdutë, 1/3 komunistë dhe 1/3 spiunë”.
Tema/d.i.