Zëvendësambasadori amerikan në Shqipëri, David Muniz, tha sot se është shumë vonë për ndryshime thelbësore në pjesët kryesore të Reformës në Drejtësi
“Ne jemi tashmë në një fazë kritike të reformës në drejtësi. Komisioni i Venecias e ka dhënë mendimin e tij dhe komisioni i posaçëm parlamentar është duke shqyrtuar projekt-ligjet përkatëse. Kjo reformë është kritike dhe për projektin e tanishëm kanë punuar shumë ekspertë për shumë muaj. Ka ardhur tashmë koha që parlamenti ta miratojë reformën pa vonesë. Ndërsa ka negociata që duhen zhvilluar para se të hartohet varianti përfundimtar dhe të paraqitet për votim, tashmë është shumë vonë për ndryshime thelbësore të pjesëve kryesore të reformës” deklaroi zëvendës ambasadori amerikan duke shtuar se në këtë cështje duhet të bëhet përparim dhe ajo të përmbyllet pasi “nuk ka më kohë për vonesa dhe debate pa fund”, theksoi ai.
Deklaratat e përfaqësuesit të ambasadës amerikane, në një takim për ndikimin e Reformës në Drejtësi për investimet e huaja, u bënë pak përpara se komisioni i posaçëm për Reformën në Drejtësi të niste mbledhjen pasdite e cila është e e fundit për fazën e shqyrtimit nen për nen.
Javën e shkuar opozita paraqiti një projekt të zgjeruar me propozime që sipas saj i japin zgjidhje cështjeve që kërkojnë një vendimmarrje politike, ndërsa sugjeron dhe ndryshime në arkitekturën e sistemit të ri të propozuar, me shkurtimin e disa prej institucioneve të reja të parashikuara në variantin e përpunuar nga ekspertët e misionit amerikan OPDAT dhe tij europian EURALIUS.
Reforma në Drejtësi konsiderohet jetike dhe për të ardhmen e ekonomisë së Shqipërisë dhe investimeve të huaja. Sipas zëvendës ambasadorit amerikan “investitorët amerikanë e shmangin sistemin e drejtësisë këtu në Shqipëri sepse kanë humbur besimin tek ai. Kjo nuk është një shenjë aq shpresëdhënëse. Kostot e kësaj situate janë shumë të larta”, tha ai duke shtuar se “Shqipëria humbet miliona dollarë në investime potenciale të huaja çdo vit për shkak të sistemit gjyqësor të dështuar. Vetëm vitin e kaluar ne kemi folur me shumë kompani, një prej të cilave kërkonte të investonte 250 milionë dollarë. Këto kompani kanë zgjedhur të investojnë gjetkë për shkak të frikës se nuk do të mund të kishin gjykim të paanshëm në gjykatat shqiptare. Kishte një vërejtje në veçanti që ne e dëgjonim gjithë kohën: gjykatat në këtë vend ekzistojnë që t’u shërbejnë të korruptuarve në kurriz të bizneseve të ligjshme”, u shpreh Muniz.
VOA/d.i.