Tre alpinistë kanë vdekur ndërsa rreth 30 të tjerë kanë kaluar momente të vështira për shkak të të ftohtit dhe sëmundjes së lartësisë teksa ngjisnin malin Everest.
Dy alpinistë indianë raportohen gjithashtu të zhdukur në atë që njihet si “zona e vdekjes” e malit më të lartë në botë, transmeton TCh njoftimet.
Ekspertët deklarojnë se nuk është risi që sëmundja e lartësisë të marrë edhe jetë njerëzish në Everest.
Por bëhet fjalë për ngjitjen e parë të këtij sezoni që pas vitit të kaluar, kur një tërmet në Nepal u mori jetën 18 personave; ndërsa 16 guida humbën jetën si pasojë e një orteku në vitin 2014.
Ngjarjet në fjalë bënë që sezoni i ngjitjeve të mbyllej para kohe, por me rihapjen e malit alpinistët kanë përfituar nga kushtet e mira të motit dhe rreth 400 janë mbledhur në qendrën e takimit që prej 11 majit.
Sidoqoftë, vdekjet e fundjavës dhe zhdukja e disa njerëzve kanë treguar edhe njëherë rrezikun që përbën maja më e lartë e botës, citohet Koha. (b.an)