Bashkia e Tiranës do të mbështesë hapjen e çdo ide që vjen nga të rinjtë për hapje biznesi apo një kompanie private. Këshilli Bashkiak pritet të votojë sot pasdite projektvendimin, i cili u mundëson të gjithë të rinjve që kanë një ide për të hapur një biznes të tyrin në territorin e Bashkisë së Tiranës që të operojnë me taksa zero në muaj të parë, deri sa ata të marrin veten dhe të hyjnë në treg. Këtë fakt e bëri të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë fjalës që mbajti në festivalin e ideve rinore, organizuar nga Ministria e Arsimit.
“Ne si Bashki e Tiranës do të kemi një propozim sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak që për të gjithë djemtë dhe vajzat që krijojnë një kompani të re, taksat në Bashkinë e Tiranës të jenë zero në muajt e parë deri sa kjo kompani të ketë marrë veten dhe të ketë testuar në këto hapa të parë nëse funksionon ose jo. Vetëm pasi të kenë kaluar muajt e parë atëherë do të ketë mundësi të paguaj taksa, por deri sa të kaloj fazën e vet të inkubatorit, pra të testimit të idesë apo të projekteve në treg, taksat në Bashkinë e Tiranës për të gjithë ata do jetë zero”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Ndaj ai ka nxitur të gjithë të rinjtë e shkollave të Tiranës që të guxojnë dhe të vënë në jetë idetë e tyre, pasi vetëm kështu ata do mund të ecin përpara në jetë. “Sa më shumë të kemi djem dhe vajza të rinj në këtë qytet që besojnë se të qënurit nxënës i mirë nuk është humbje kohe, të studiosh arsimin profesional ku mëson një zanat nuk është humbje kohe. Ka pa fund vend për djem dhe vajza që kanë kurajë, që kanë ide, që janë inovatorë dhe që arrijnë suksesin pavarësisht pengesave. Dhe unë sot jam këtu duke qenë që besoj fort se historia e re e Shqipërisë, ka një vend fantastik për të gjithë ju”, – tha Veliaj. (javanews.al / r.a)