Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Europian organizuan të hënën në Tiranë konferencën me titull “Reforma në drejtësi, një parakusht për nxitjen dhe tërheqjen e investimeve të huaja në Shqipëri”.
Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin tha në fjalën e saj se reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme dhe se është në dorën e ligjvënësve shqiptarë për ta miratuar atë.
Romana Vlahutin tha se sistemi aktual i drejtësisë është bërë i pabesueshëm dhe për këtë arsye duhet të ndryshojë. “Nuk ka besim në sistemin aktual të drejtësisë, kjo duhet të ndryshojë. Vendi nuk mund të ecë përpara më këtë sistem drejtësie”, tha Vlahutin.
Znj. Vlahutin theksoi se ekziston një vullnet i madh për ta votuar atë, por mbetet në zgjedhjen e ligjvënësve. Sipas saj, duhet patur parasysh që kjo reformë kërkon vullnet e kurajo politike, pasi është një reformë gjithëpërfshirëse.
Zëvendësambasadori i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, David Muniz, tha se ekziston mosbesimi se nuk do të ketë një gjykim të drejtë nga Gjykatat shqiptare dhe ka një perceptim se ky vend i shërben të korruptuarve.
“Opsioni i parë, bëhet fjalë për një proces shumë të shtrenjtë dhe duhet të kemi parasysh se e gjithë kjo situatë dëshmon reputacionin e Shqipërisë para investitorëve të huaj”, tha Muniz. Sipas tij, kjo ka një impakt shumë negativ në klimën e biznesit të huaj. “Duhet të kuptojmë se është e nevojshme që të kemi procedura ligjore të drejta për të gjithë. Kompanitë e huaja konstatojnë se ka mungesë transparence dhe profesionalizmi në trajtimin gjyqësor që i bëhet çështjeve të tyre, gjë që i dëmton këto kompani”, u shrpeh diplomati amerikan.
Një tjetër çështje për rritjen e besueshmërisë së investimeve të huaja, tha Muniz, është ajo e pronave, për të cilën investitorët konstatojnë se karakterizohet nga një situatë kaosi. “Është e pabesueshme se problemet e pronave zgjasin pafundësisht dhe për to ka pretendime të shumëfishta nga palë të ndryshme. Kaosi është një tjetër pengesë që i shqetëson investitorët e huaj. Ndaj ne bëjmë thirrje që kjo çështje të zgjidhet në mënyrë të shpejtë dhe të qartë dhe për këtë kërkohet vendosmëri”, tha zv/ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Muniz. (javanews.al / r.a)