Kryesia socialiste do të marrë sot në shqyrtim kandidaturat për kryetarë të PS-së në 61 bashkitë e vendit. Propozimet tashmë janë dërguar në kryesinë e PS-së, pasi kanë kaluar këtë fundjavë edhe një tur konsultimesh të reja mes koordinatorëve të PS-së së qarqeve, të deleguarve të kryesisë për këtë proces dhe kryetarëve të bashkive aty ku drejtohen nga Partia Socialiste, shkruan Panorama.
Mbeten disa bashki që nuk kanë përfunduar ende seleksionimin e kandidaturave, siç është Bashkia e Durrësit dhe Dibër, ndërsa Bashkia e Tiranës ende nuk ka emrat e propozuar. Në shumicën e bashkive, për kreun e Partisë Socialiste është gjetur konsensus, dhe në kryesinë socialiste është sjellë një kandidaturë e vetme.
TIRANA
Në Bashkinë e Tiranës, e cila përbëhet nga 24 njësi administrative, ish-komunat dhe minibashkitë, janë ngritur këshillat socialistë që kanë zgjedhur drejtuesit e tyre. Do të jetë asambleja socialiste e bashkisë dhe krerët e këshillave socialistë që do të bëjnë propozimet për kandidaturat e kryetarit të PS-së në bashkinë më të madhe të vendit.
Për shkak se drejtuesit e Partisë Socialiste në bashki do të jenë funksionarë dhe nuk do të mbajnë asnjë detyrë tjetër, nga kandidimi janë shmangur deputetët, ministrat, por dhe kryetarët e bashkive. Këtij pozicioni i janë shmangur edhe drejtuesit e rëndësishëm rajonalë, të cilët nuk e kanë preferuar postin e kryetarit të partisë së bashkisë.
Një nga klauzolat e përcaktuara në statutin e ri të PS-së është edhe moslejimi i kandidimit të kryetarit të PS-së së bashkisë për deputet apo kryetar partie në zgjedhjet e ardhshme, duke e bërë atë një punonjës të përkushtuar organizativ të partisë.
Ndër emrat e njohur që bien në sy në listën e kandidatëve është Megi Ajtyresa, ish-kryetarja e FRESH-it, dhe Astrit Beci, ish-drejtor i ISKSH-së, të cilët kandidojnë për kreun e PS-së në Bashkinë e Shkodrës.
ZGJEDHJA
Kryetari i Partisë Socialiste të bashkisë do të zgjidhet me votim nga mbledhja e zgjeruar e asamblesë socialiste të bashkisë, ku do të marrin pjesë edhe delegatët e Kongresit, krerët e këshillave socialistë të bashkisë.
Kryetari i PS-së së bashkisë do të jetë funksionar, me pagesë dhe kohë të plotë në parti. Mandati i tij është 4-vjeçar dhe ndërpritet kur jep dorëheqjen, kur shkarkohet nga kryesia e PS-së për dobësi në punë dhe shkelje të normave të statutit, kur nuk fiton në mocionin e votëbesimit që zhvillohet për të, kur humbet në zgjedhjet vendore ose arrin rezultat më të dobët se zgjedhjet e mëparshme politike në bashkinë respektive. Panorama