Adriana Sheti, përgjegjëse për sektorin e zonave ekonomike në një intervistë për gazetaren e TVSH-së, Amela Zhabjaku, shpjegon përse u rikompozua Zona Industriale e Spitallës dhe se kur pritet të zhvillohet tenderi i ardhshëm.
Zona ekonomike e Spitallës prej vitesh është hedhur dhe rihedhur për tu marrë nga privati për të qenë një zonë e lirë ekonomike, çfarë e çoi Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik në një vendim të tillë që kjo zonë ekonomike të frekuentohet dhe çfarë synoni të arrini me këtë frekuentim?
Nga viti 2008, Spitalla është shpallur zonë ekonomike me statusin e parkut industrial në një sipërfaqe prej 850 hektarësh, por me kalimin e viteve u pa se këto zona ekonomike nuk dhanë atë trend që mendohej të jepnin. Për këtë u vendos që të bëhej ndryshimi i tyre, të kalohej nga statusi i parqeve industriale ose i zonave të lira duke krijuar një koncept të ri “zona teknologjike të zhvillimit ekonomik”. Këto zona teknologjike ishin një bashkim midis parqeve industriale dhe zonave të lira, pra një ndërthurje mes tyre ku do zhvilloheshin aktivitete prodhuese dhe njëkohësisht do aplikoheshin lehtësira fiskale, të cilat do të ishin në formën e një zone të lirë. Me ligjin e vjetër lehtësia fiskale që aplikohej në zonat e lira ishte vetëm një, ndërsa me ligjin e ri u bënë 13 lehtësira fiskale. Duke vazhduar në këtë rrugë u vendos të bëhej shpallja e zonës së parë teknologjike e zhvillimit ekonomik me një sipërfaqe 501.9 hektarë. Kjo ishte dhe procedura e parë e zhvilluar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes e cila pati dhe problematikat e saja. Përveç problematikave na shërbeu për të vazhduar më tej rrugën në drejtim të zhvillimit të zonave në Shqipëri. Nga procedura e parë, Spitalla pati dy konkurrentë, ku nuk pati fitues. Kjo për ne ishte një trend, pasi në Shqipëri kishin ardhur dy zhvillues të cilët kërkonin një zonë, por cilat ishin problemet në këtë zonë?! Problemi kryesor ishte sipërfaqja e madhe dhe brenda sipërfaqes ekzistenca e truallit me status privat e cila kërkonte një shpronësim. Në bazë të ligjit të investimeve strategjike, mbulimi i këtyre shpronësimeve do të bëhej nga investitori ose zhvilluesi që do investojë. Në këtë rast për zhvilluesin kjo ishte një kosto shumë e madhe dhe ata tërhiqeshin. Ndërkaq brenda kësaj zone ekzistonte dhe Universiteti Aleksandër Moisiu, i cili shihej si problem edhe për investitorët. Pas përfundimit të procedurave për zgjedhjen e zhvilluesit të zonës së zhvillimit ekonomik prej 501 hektarësh, grupi i punës vendosi të analizonte se cilat ishin shkaqet dhe çfarë duhej përmirësuar. Përmirësimi qe; zvogëlimi i sipërfaqes si dhe përjashtimi i zonave që ishin në truall privat. Në fazën e parë u vu re se investitorët nuk ishin aq potencial sa të mbulonin një sipërfaqe prej 501 hektarësh dhe shpesh herë problem i tyre ishte vlera e investimit, sepse të investosh në një sipërfaqe prej 501 hektarësh në zonën e Spitallës e cila është një kënetë, duhej një vlerë investimi më e lartë se në një zonë tjetër. Prandaj u vendos shpallja e një zone teknologjike të re me vendimin 262 më 04/06/2016 prej 199.7 hektarë dhe si fazë e parë do të bëhet procedura për 101.4 hektarë, e cila do të jap mundësinë të marrin pjesë investitor vendas ose të huaj që kanë eksperiencë në zonat ekonomike dhe investitorë të cilët nuk kërkojnë atë potencialitet siç e kërkonte kur ishtë në masë më të madhe.
Konkretisht ku jemi me 101.4 hektarë në zonën e Spitallës?
Nga ministria ka filluar një marketim i gjerë sidomos me investitorë vendas, por edhe të huaj. Jemi duke parë se cili është drejtimi i investimit të tyre dhe cila do të jetë mundësia që do të na ofrojnë ata në këtë investim edhe duke jua shpjeguar.
Mund të kemi një datë për një tender të hapur?
Brenda muajit qershor, ose në muajin korrik mund të fillojë një procedurë, por kjo procedurë do të jetë pak më e gjatë se e para. Nëse në procedurën e parë u la 60 ditë, procedura këtë herë do të jetë më e gjatë, që investitori të ketë kohë të përgatisë studimin. Për të marrë pjesë në një konkurim duhen disa studime që duhet të paraqesi zhvilluesi ose investitori i huaj për të fituar këtë garë.
Ju thatë se në këtë zonë të madhe ekonomike prej 501 hektarë, ka dhe ndërtime të cilat kërkojnë shpronësim. Po me këtë pjesë si do të veprohet?
Investitori ka mundësi të zgjerohet në zonën ekonomike duke paraqitur një investim shtesë, mund të kërkojë zgjerimin e sipërfaqes, por nëse kjo rritje e sipërfaqes kërkohet në pjesën private atëherë ai sipas ligjit duhet të lidhë një marrëveshje me privatin duke ia marrë atij me qira ose duke e blerë truallin ose duke kërkuar shpronësimin e saj. Pra janë disa forma marrëveshjesh midis zhvilluesit dhe pronarit të truallit. Pastaj në bazë të studimeve bëhet dhe zgjerimi i sipërfaqes dhe kjo do të jetë zgjidhja e zhvilluesit.