Bukurie Mata, e ëma e Bleonës, e cila dje mbushi gjashtë vite e zhdukur, tregon se vajza e saj e vetme për herë të fundit është parë në një restorant në Angli.
Ajo rrëfen se personi që ka parë Bleonën është polici i sigurisë së restorantit, një emigrant shqiptar. “Për këtë fakt kam edhe foto”, thotë Bukuria. Gjithashtu, ajo rrëfen se para dy muajsh, njëra prej 5 vajzave që Bleona ishte shoqëruar ditën e ngjarjes, i ka pohuar se “vajzën ia ka shitur Qamilja”, thotë ajo për “Gazetën Shqiptare”.
Bleona Mata u zhduk në mënyrë misterioze pasditen e 22 majit të 2010- ës (në atë kohë 6 vjeçe), teksa kulloste bagëtitë në malin e fshatit Zapod të Kukësit së bashku me 5 vajza, të afërme të saj.
Zonja Bukurie, vajza juaj Bleona sot (dje) bën gjashtë vite që është zhdukur dhe nuk ka asnjë gjurmë të saj. Me kë keni kontaktuar për të ditur se ku kanë arritur hetimet?
Kam biseduar me drejtorin e Policisë së Kukësit, me prokurorë, ndërsa në Tiranë kam biseduar edhe me hetues te Krimet e Rënda. Çështja e Bleonës ka mbërritur deri në Parlament e në mbarë botën dhe ende nuk po gjendet vajza ime. Unë akoma nuk po e besoj dot se në çfarë vendi po jetojmë ne, pasi vajza ime vazhdon të jetë e zhdukur dhe 5 vajzat e tjera po vijojnë të jenë ende të lira, kur ato janë kriminele për zhdukjen e Bleonës.
Hetuesit më thonë jemi në kërkim, nuk e mbyllim çështjen e Bleonës. Ke biseduar me këto vajza gjatë kësaj kohe?
Kam biseduar me ish-kunatën time. Para dy muajsh kam takuar edhe Rudinën dhe i kam thënë “turp çfarë keni bërë me Bleonën”. Ajo më tha se nuk dinte se çfarë ishte bërë me Bleonën, sepse atë e kishte marrë Qamilja dhe e kishte shitur. Sipas saj, personi i fundit që e shoqëronte Bleonën është Qamilja (mbesa e ish-vjehrrit tim). Personi që e mori në qendër të fshatit është Qamilja. Ajo e di se ku është vajza ime, ndërsa shteti ka rënë në gjumë. Nesër (sot) vajza ime hyn në vitin e shtatë që është zhdukur dhe nuk kam më asnjë dritë jeshile se ku ta kërkoj.
Ju vetë deri ku e keni kërkuar në rrugë private?
Unë me forcat e mia dhe në rrugë private kam qenë deri në Amerikë. Në atë kohë ka qenë emisioni “Njerëz të Humbur”, që kishte marrë vesh se ishte birësuar një fëmijë në Amerikë. Por fëmija i birësuar nuk ishte fare shqiptar dhe nuk kishte asnjë ngjashmëri me vajzën time, sepse e pashë edhe vetë me sytë e mi. Kam qenë edhe në Greqi, në Gjermani, në Budapest, në Francë, në Kosovë, në Maqedoni dhe asnjë shenjë e saj. Gjithmonë kam menduar se mos dikush e ka marrë dhe e ka regjistruar në ndonjë shkollë dhe mund ta gjeja nëpër bankat e shkollës. Po hetues të huaj ju kanë dhënë mbështetje për gjetjen e vajzës? Po, më kanë dhënë. Një herë Bleona është parë në një restorant në Angli në shoqërinë e dy femrave dhe kishte blerë një çokollatë. Kjo gjë është kapur edhe nga kamerat e restorantit. Kam foto për këtë fakt.
(javanews.al / r.a)