Lirimi nga burgu i Shënkollit në Lezhë i Shaip Zukajt një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore në Kosovë tensionon marrëdhëniet e policisë kosovare me Shqipërinë.
Zukaj është ekstraduar pak kohë më parë nga Belgjika në Tiranë për llogari të një dënimi të dhënë nga gjykata e Lezhës ku ai ishte i përfshirë në një krim.
Pasi ka kryer këtë dënim, Zukaj duhej ekstraduar për llogari të një dënimi në Kosovë, por kjo s’ka ndodhur dhe pak ditë më parë ai është liruar.
Burime për Report Tv bënë me dije se për këtë rast është paraqitur dhe një notë proteste nga policia e Kosovës dhe pritet që prokuroria e Lezhës të hedhë dritë mbi këtë rast, ku një i kërkuar lirohet nga burgu.
Palës Kosovare kish paraqitur një kërkesë për ekstradimin e tij dhe ky ekstradim ish miratuar, por kjo vetëm në letra pasi në realitet ndodhi e kundërta.
Të kontaktuar nga Report Tv administrate e burgjeve pranoi lirimin e tij pasi mbaroi burgimin, por sipas tyre në dosjen penale të Zhukajt nuk kishte asnjë dënim tjetër asnjë kërkesë ekstradimi apo shënim që pengonte lirimin e tij.
Ajo çka mbetet mister është fakti se përse nuk janë shënuar këto në dosjen personale të Shuaip Zukajt çka do të pamundësonte lirimin e tij dhe do të bënte që ai sot të ekstradohej në Kosovë aty ku është i dënuar për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë.
Një tjetër pistë që shton dyshimet mbi këtë lirim është dhe fakti se në faqen e Interpol siç dhe shihni Zukaj rezulton në kërkim për llogari të policisë kosovare dhe pse ndodhej në burgun e Lezhës nga ku u lirua.
Drejtoria e Burgjeve: S’ka patur vendim për ekstradim në Kosovë
Në lidhje me lajmin e publikuar me media për lirimin e shtetasit Shuaip (Shaban) Zukaj nga burgu i Shënkollit në Lezhë, ka reaguar Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Përmes një reagimi për mediat, Drejtoria e Burgjeve sqaron se “në dosjen e të dënuarit nuk ka ekzistuar një vendim me masë sigurie për ekstradim në Kosovë në përfundim të dënimit të parë”.
“Shtetasi Zukaj ishte ekstraduar nga Belgjika për llogari të drejtësisë shqiptare në vitin 2012, pasi më parë ai ishte dënuar në mungesë në vitin 1999 për veprat 76/2 dhe 278/4 të parashikuara nga Kodi Penal. Më pas, në vitin 2014 kur ka bërë kërkesë për rivendosje në afat, ai është dënuar me 6 vjet e 8 muaj burgim me anë të vendimit nr. 155″, thuhet në deklaratë.
Sipas Drejtorisë së Burgjeve, shtetasi ka përfituar ulje dënimi me vendime gjykate dhe nga amnistia. “Lirimi i tij është bërë me plotësim kohe në nëntor 2015, pasi nuk ka patur një masë sigurimi tjetër ndaj tij, duke vepruar kështu plotësisht në përputhje me vendimin ekzistues të gjykatës”, thuhet më tej në reagimin e Drejtorisë së Burgjeve. a.k