Nga Xhevair Lleshi
…Litari prej rëre i mbretit dhe fjalët e plakut…
Nuk jam një tip si ti, i nderuar doktor, por e kam filluar luftën kundër komunizmit në një ditë me ty. Formuam partinë dhe i besuam aq shumë rinisë, se ne ishim burra të pjekur (moshë e bukur edhe kjo!), por çelësat ua dhamë të rinjve. Domethënë më të rinjve se ne. Dhe, kuptohet përpjekja e përbashkët solli lirinë. Sigurisht rrugët tona u ndanë: ju u bëtë qeveritar, drejtues, kurse unë ndoqa rrugën time dhe përfundova botues librash, një zeje që s’para e ka kush qejf, sidoqë edhe ajo bën majë sidomos për ata që kanë pasionin. Që në ditët e para lindën idiokratët, domethënë idiotët me shkollë e me punë zyre, ose ata që u bënë «intelektualë» duke blerë diplomat çfarëdo në tregun e zi, edhe kur nuk ekzistonin universitetet private, madje ishte idiokracia ajo që udhëhoqi punë kryekreje interesante dhe fitimprurëse për t’i ngritur në këmbë ato institucone të shembura pa u ndërtuar…
Për të mos u larguar nga thelbi i asaj që nisa të shkruaj po fokusohem në çështjen ashtu si duhet. Ne, doktor, të moshuarve na takon nderi t’i drejtojmë në rrugën e mbarë fëmijët tanë. Dhe kjo do të thotë që të mos shtrëngohemi pas idesë se «ne jemi dhe s’ka tjetër dhe se pa ne bota do të përmbyset!» Me këtë rast, më duhet t’ju them se im bir, që tani vijon punën botuese, një ditë të bukur më fton për kafe dhe duke biseduar më thotë: Unë jam yt bir, vërtet nuk lexoj aq sa ti, nuk shkruaj dot si ti, nuk lexoj ashtu si ti, nuk punoj aq shumë dhe për më tepër në mënyrën tënde,… por mbi të gjitha je im atë dhe unë për këtë të nderoj më shumë se gjithçka, ndaj të lutem hap krahun që edhe unë të shprehem, që edhe unë të mësohem me punën, që edhe unë t’ia ndiej lezetin punës!…
Ja, i nderuar doktor, kjo është thirrje që del nga fundi i zemrës, mua më mërziti sigurisht, më bëri për hekura, po për fatin tim të mirë i thirra mendjes. Sepse pak a shumë kështu ndodhi edhe me ty: kujtove se me që ike nga pushteti do bëhej kiameti, do të përmbysej bota dhe ndenje aty, nuk e hape krahun, nuk u dhe mundësi të rinjve të shpreheshin, sepse ata deri dje ishin nën hijen tënde, ishin të frikësuar prej teje, s’e ngrinin dot kokën para teje, madje edhe gjithë natën flinin me rroba në mënyrë që të dilnin para teje sa më shpejt të ishte e mundur; pra, që të dukeshin! Kjo do të thotë se nuk edukojmë njerëz të vetëdijshëm për të punuar, por skllevër të përulur, nga ata që edhe shkollën duan ta mbarojnë brenda ditës në mënyrë që kur të jenë para teje të tregojnë diplomën me të tëra dhjeta etj.! Por kështu nuk fitohet kurrë. Po të isha si ata të rinjtë që punuan me ty, do të thosha: po, doktor i dashur, ti je plot energji, je një lexues i madh, je një intelektual klasi, je po aq mëkatar sa gjithë njerëzit e tjerë, je i ditur dhe ke goxha kulturë, madje nganjëherë të pakrahasueshme me mjaft e mjaft të tjerë, je i madh, fantastik,… por, ja që koha jote mbaroi. Tani hap krahun plotësisht. Tani. Që sot, dhe jo nesër, tregohu në nivelin e mënçurisë dhe të pjekurisë që zotëron. Dhe kaq. Mjafton. Urtësia e pleqërisë është madhështi për të rinjtë.
Lërua atyre. Sepse… Ta lëmë më mirë. Mua personalisht më pëlqen Patozi me gojëtarinë e tij të shtruar dhe të hekurt, të pathyeshme, më pëlqen arsyetimi i Pollos, më bëhet i mirë të hedhurit dhe rrëmbimi i Palokës, më duket e hatashme gojëtaria e Alibeajt, më vërtiten në kokë metaforat e Zogajt, më shtyn në ngasje urtësia e Selamit, argumenti i profesorit të ekonomisë, shkëlqimi i syve të Bodes, thumbimi disi i tepërt e mjekut Noka, ëmbëlsia e fjalëve të Ristanit etj., etj. Por nuk mbaron me kaq, sepse kur shoh që të rinjtë e tubuar më tepër në këshillin bashkiak (një palestër ku fare mirë mund të stërviten politikanët e ardhshëm!) më bëhet zemra mal. Ata do të bëhen në frymën tuaj, jo duke ju pasur juve si tutor, por si udhëheqës shpirtëror. Godon e shanë disa që ndenji vetëm kryetar nderi. Po, cili të ndaloi ty që ta kurseje veten dhe të ishe vetëm i tillë? Pra, duhet të bëheshe Qytetar. Sepse i zoti është ai që vetëpërmbahet dhe jo që ndërsehet kundër çfarëdolloj gjëje, në të gjitha drejtimet, kudo që të ndodhet… Këtë punë duhet ta bëjnë bijtë, se neve na thahet pështyma në gojë, pavarësisht energjisë që zotërojmë.
Unë që po të shkruaj këto radhë për ju jam i panjohur, ndonëse jam takuar me ju, por kam qenë kurdoherë jashtë vullnetit tuaj. Mrekulli: kam votuar për ju, por nuk jam urdhëruar kurrë prej teje, jam i dhënë pas energjisë sate, por dua që ajo të përdoret me kujdes dhe me frytshmëri, e respektoj kapacitetin tënd, por vetëm kaq. T’i lëmë fjalët e tepërta: koha nuk pret. A do ti, i dashur doktor që partia demokratike të bëhet e besueshme dhe të fitojë zgjedhjet që vijnë? E pra, ik ti, largohu nga partia, nga detyrat, forumet, (ndoshta deputet mund të jesh!) dhe këtej e tutje je thjesht një Qytetar. Është jashtëzakonisht urgjente! E ke në dorë pikërisht tani ta bësh këtë detyrë.
Është e këtillë sepse ia ke hipur partisë si dhe deputetëve në parlament dhe nuk e hap krahun ti, jo! Ti ndalon çdo frymë se kujton që po të mos jesh ti, ata, domethënë drejtuesit e partisë demokratike, do të vdesin, do të bëjnë keq detyrën, se nuk do të jenë si ti, të fortë e të paepur. Po, ku e di ti se nuk janë të tillë? Ku e di ti se nuk janë në në lartësinë tënde? Pse përpiqesh t’i zhveshësh nga personaliteti, duke bërë diabolikun pa dashje? Pse? Pse? Pse?
Ka ardhur ora, tha futbollisti i famshëm i Milanit, van Basten. Dhe e la futbollin në kulmin e karrierës. Shpëtoi veten. Mbeti përjetësiusht i ri dhe i bukur. Nuk u shëmtua kurrë. Dhe ashtu ka për t’u mbajtur mend kurdoherë. Kurse ne përmjerrim nënvetëdijen tonë duke kujtuar se me që jemi plakur, edhe jemi mënçuruar më tepër! Kush thotë jo: çirrja maskën pushtetit që s’di ç’bën por pjerdh nën vete! Shprehu, e ke fushën krejtësisht tënden, duke qenë gjithnjë miliona herë më i besueshëm si Qytetar! Bjeru të gjithë atyre që s’dinë ç’bëjnë dhe vetëm vjellin vrer! Ec përpara kryelart si Qytetar i Republikës me mençurinë dhe përvojën e një plaku. Tregoje forcën e intelektit tënd duke u besuar të rinjve, ashtu siç bëmë të gjithë së toku në dhjetorin e Nëntëdhjetës! Bëju edhe më bukur burrë shteti i vërtetë vetëm si Qytetar. E ku ka ndodhur ndonjëherë kështu? Se ti, i nderuar doktor, nuk je idiokrat! Nuk je njeri i lig! Nuk je i prapambetur! Ndaj tërhiqu dhe ky ka për të qenë kulmi i Vetëdijes Qytetare. Mos ki merak, jo: djemtë dhe vajzat do të ecin vetë dhe kanë ende kohë t’i zgjidhin punët e tyre. Mund të ndodhë që Bregu të hidhet në sulm, që Vokshi të rrëmbejë flamurin, që Spaho të argumentojë gjithçka që e rrotullon keq zemrekun e sahatit të shtetit, që Imami dhe gjithë të tjerët të prijnë me fuqinë e mendjes së re dhe të hapur, me idenë e përsosur për të ardhur në pushtet. Dhe, aman o Zot, mus u zini besë këshilltarëve të nëmur, se nuk janë simbolet e këshilltarëve që përshkruan tek «Sundimtari» Nikolo Makiaveli, jo! Janë tjetër bukë tanët. Të gjithë, po të gjithë ama, janë idiokratë! Askush nuk lexon një libër, askush nuk shkruan me mendjen e tij një artikull dhe as të shprehë mendimin e tij në faqen e fb, se dinë vetëm të laujnë rolin e të fortit,… atëherë mbajini badigardë!
Do të ishte në të mirën e përbashkët dhe një shuplakë e tmerrshme për Edi Ramën largimi yt de facto nga sundimi. T’i lëmë mënjanë pallavrat. Edhe ato një milion shuplakat që paskan ardhur në drejtimin tënd. Jo! Por largimi yt do të jetë dyfishi i shuplakave kundër Edi Ramës, kësaj mrekullie të të bërit keq të gjërave, usta i fjalës dhe i hipokrizisë, djall me brirë i ironisë së paskrupullt… Pra, i nderuar mik, ke me se lufton. Para teje është një fushë e jashtëzakonshme ku urtësia, mënçuria, dija, përvoja dhe gjithçka e bryllët do të kishte bërë majë tjetër në xiglimin e një ylli të ri! Por nga ana tjetër partia demokratike do të fitojë një tjetër drejtues, jo si pema e rritur në hije, e shtrënguar nga subkoshienca e nënvetëdijshme, e trysnuar nga një vullnet i paepur, që nuk i duron dot minorenët. Lëre kryetarin Basha të bëhet i zoti, as me dashurinë tënde dhe as me kundërshtinë e Topallit, as me ledhet e sipërmarrësve dhe as të atyre që duan të hyjnë në politikë nga dritarja. Kështu po u mbetet. Ata nuk flasin shqip. Ata zotërojnë një zhargon të malultë. Ata kanë shprehje të allasojta! … Lëre Bashën dhe udhëhiqe pa u kuptuar gjithnjë si Qytetar, si shembull. Pra, bëj detyrën që të takon, nëse thua që je prind!
E di. E marr me mend ç’do të thonë. Ra Saliu! O burra drejt pushtetit të ri! Ti, e imagjinoj, do të qeshësh nën buzë, me hirin e elegancës sate, me hijen e patundur dhe aq simpatike të një plaku të urtë. Lërja gjykimin kohës. Shkërrmoqjua në dorë gurët dhe asët nën mëngë. Se kjo të takon. Kuptoje pra, misionin tënd të madh. Bëhu qytetar misionar! Mos merr përsipër që sërish të të kthejnë në tabelë qitjeje. Prishjua planet e egra dhe bëhu njeri, bëhu Budë brenda njeriut dhe Qytetarit Shqiptar.S’ke ç’humbet më tepër nga ç’ke humbur e ç’ke fituar! Na duhet një «shenjtor» në radhët e qytetarisë. E kuptoj se në një çast të fillimit të këtyre mendimeve do të kesh ngritur krye. Po ky? Ç’ne ky? Si? Nga doli? Këlysh komunisti është medoemos. Edhe sikur unë të them të vërtetën se as baba, as nëna, as vet, as vëllai, as motrat, as bijtë tanë (të të tërëve ne!) nuk ishim kurrë komunistë! Por unë, sigurisht, nuk jam nga ata që të them se ti je ende komunist. Jo. E di, je antikomunist. Vitet e të qenit komunist të dhanë vetëdijen për ta luftuar komunizmin në rrënjë, në fole… Por ç’ndodh? Ja që tani pavetëdijshëm (sepse këto moshat tona s’e kuptojmë dot që bëhemi padashur ata që kemi qenë dikur. Kthehet pa u kuptuar rrota dhe traseja është e shtruar. Ne vetëm ecim. Ecim. Ecim. Dhe jemi bërë si ata. U presim rrugën të tjerëve. Ti e di, doktor, se dikur, në kohët e lashta, pleqtë i merrnin, kur arrinin moshën tonë, dhe i vrisnin ose i çonin në pyll. I linin atje në vetminë (shenjtninë) e tyre. E di, apo jo? Në anët tona e tregonin, por jam i bindur se edhe në anët tuaja po ashtu e kanë treguar. Tek e fundit ne kemi Tomorin, ju keni Alpet. Afër e ngjat jemi. I erdhi ora plakut tonë dhe i biri pa e pyetur nuk e vrau, siç ndodhte rëndom, por si rrallë të tjerët, e çoi dhe e la në pyllin e dendur. Por ama e dinte ku e kishte lënë dhe herë pas here shkonte, e takonte, i jepte për të ngrënë e për të pirë. I linte edhe ndonjë leckë a ndonjë shtrojë. Dhe plakut të zi i bëhej qejfi nga sajdia e treguar. Mbajmë njëri-tjetrin bir! Mbajmë njëri-tjetrin! I biri qeshte me fjalët e optimiste të plakut. Por do ti që erdhi dita? Se mbreti kërkonte litar rëre! Dhe të rinjtë do shkonin në satër, po të mos e gjenin si ta bënin. I ardhi radha. Njerëzit e mbretit i kërkuan litar rëre. U kërkoi kohë djali dhe gjeti rastin e shkoi tek i ati plak. Dhe plaku ia dha përgjigjen: Thuaju të të sjellim modelin, bir! Fluturoi djali dhe mbreti mbeti keq. E fali njerëzinë e dendur në burg… Kaq. Morali është i qartë. Pozicioni yt tani, doktor i dashur, është t’u tregosh të gjithëve se vlen. Se vlen shumë, por duke u larguar nga rruga që ndjekin të gjithë. Tani duhet të jesh Misionar. Edhe po qe se të fusin në burg (po të faktohen krimet), edhe po të bëjnë monument. Është koha të shpëtosh popullin tënd nga fobia që ka mbjellë komunizmi dhe mendjet e turbullta për ty, për profilin tënd. Mos ua jep armën e rëndë që ta udhëheqin 2017-tën me urrejtjen e mbjellë për ty. Jepja popullit tënd këtë kënaqësi, jepua bijve të tu demokratë ta ndiejnë veten zota të vërtetë, të jeni kështu Urillau i Ilirisë së këtyre anëve. Amen!
….sa hipokrizi ka ketu tek shkrimi yte o botues medioker, sa poshtersi, sa urrejtje, sa mashtrime, sa ndyresi ka ne keto rreshta te nje njeriu pa asnje vlere, njeriu qe tani po perdoret dhe kjo vetem per te rregulkluar djalin e tije, dembel, te pa kulture, ndofta edhe drogaxhi dhe prite nje dite qe ky djale i ketij babai hipokrit te na vije drejtor apo kryetar bashkie, apo ne ndonje ministri…..ik o baba i ngarkuar me ndyresin e nje xjelozi i pa kulture por edhe shume servile……per mos te te thene…..ik pirdhu….
gjeja me e mire e 22 viteve vlere dhe tashme antivlere largohu doktor shko ne klinike shijo vitet e ngelura boo me politike eshte ruga qe te krenoi por kujdes ne fund hakili fitoi ndaj ke uzupuar dhe tani te del detyre c uzupimi largohu me garanci nder respekt e vlere se e kunderta do te sjell vrerrr
drejtesia themeli i shtetit rinia e ardhmja e jetes trashegimia , misioni i zotit
e ardhmja e sigurt e familjes shqiptare dhe e shtetit laegohu doktor
Thirje e bere ndaj Ligesise eshte shume e pa vend , vertet qe ikja thyerja e qafes se Berishes i ben nder e krahe asaj partie politkr berse te mbrapesht gjate gjithe ketyre viteve .