Një kurrikulë mësimore, që përfshin njohuritë bazë në fushën e kodimit, apo siç njihet ndryshe programimit kompjuterik është gati të futet në programet mësimore të shkollave 9-vjeçare. Pas pilotimit të kësaj lënde në 12 shkolla të këtij niveli në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, duket se rezultatet kanë qenë optimiste dhe nxënësit kanë reaguar mjaft mirë ndaj saj.
Për të prezantuar këtë kurrikulë, në kuadër edhe të Javës së Inovacionit 2016, në mjediset e Shkollës së Kuqe në Tiranë, është zhvilluar një ceremoni e veçantë, në të cilën kanë marrë pjesë Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, përfaqësues të ALMOOC, Platforma shqip e Orës së Kodimit, përfaqësues të Microsoft Albania si nxënës e mësues pjesëmarrës në projektin e Orës së Kodimit.
“Kodimi është bërë sot diçka e thjeshtë, por edhe shumë bazike për mënyrën sesi funksionon bota”, ka thënë në fjalën e saj ministrja Harito. Sipas saj në 5-10 vitet e ardhshme me atë që konsiderohet aktualisht si Revolucioni i 4-t Industrial i botës, gjithë industria, gjithë ekonomia, gjithë shoqëria do të shkojnë duke u dixhitalizuar gjithnjë e më shumë, nëpërmjet ndërlidhjes së çdo objekti që ne kemi në duart tona. “Kjo do të bëjë që teknologjia të jetë edhe më në qendër të jetëve tona, por sidomos të jetëve tuaja, që jeni në fillimet fare të jetës profesionale”, u është drejtuar Harito nxënësve të pranishëm.
Nga ana e saj ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka vlerësuar se “ky është një projekt i rëndësishëm për të sotmen dhe po aq i rëndësishëm për të ardhmen dhe kjo e ardhme fillon e ngjizet sot duke punuar fort në atë që shkolla përfaqëson si mjedisin më të paqtë për të ofruar formime cilësore për ata që do të jenë nesër qytetarët e Shqipërisë europiane”.
Në përfundim të ceremonisë janë dhënë çmime për nxënësit që janë paraqitur më mirë në këtë projekt. Çmimin e parë e ka fituar Esmeralda Cala, nxënëse në shkollën “Xhemali Plaka”, në Gostimë të Elbasanit, e cila ka ndërtuar faqen ëeb të shkollës së saj. Çmimin e dytë e ka fituar Dea Rrozhani, nxënëse të Shkolla e Kuqe në Tiranë dhe çmimin e tretë Arsela Telhallari nga Durrësi.
Projekti për kurrikulën e Kodimit është organizuar nga MIAP në bashkëpunim me Institutin e Zhvilllimit të Arsimit për nxënësit që i përkasin grupmoshës nga 12 deri në 14 vjeç, ata që kanë më tepër prirje dhe talent në fushën e informatikës bazuar në njohuritë, rezultatet dhe vlerësimin e tyre.
Përmes platformës online në gjuhën shqipe ju është dhënë mundësi fëmijëve të testojnë njohuritë praktike në gjuhët e programimit: HTML, JAVA dhe CSS, të mësojnë të kodojnë në mënyrë interaktive, dhe më e rëndësishmja të luajnë. Fëmijët kanë mësuar të ndërtojnë dhe administrojnë faqe interneti duke përshirë në të elemente grafike, dinamike, video, hyperlinks etj. (javanews.al / r.a)