Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka pritur sot në një takim grupin e deputetëve të Parlamentit Europian, ndër të cilët edhe Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan, në kuadër të vizitës së tyre në Shqipëri.
Takimi, i cili u zhvillua në Ministrinë e Financave, u fokusua tek mbështetja buxhetore për sektorët e ekonomisë dhe mbështetjen e reformave të rëndësishme, ndër të cilat një vëmendje të veçantë morri reforma në Drejtësi.
Në një prononcim për mediat në përfundim të takimit, ministri Ahmetaj u shpreh se në takim “bëmë një ekspoze të zhvillimeve pozitive të ekonomisë shqiptare. Bëmë një ekspoze gjithashtu të problematikave dhe risqeve dhe në fund, u fokusuam në të gjithë instrumentet e përmirësuar të menaxhimit të financave publike, që është një reformë e ndërmarrë, së bashku me Komisionin dhe është një nga kushtet e mbështetjes buxhetore që na vjen nga Komisioni”.
“Ndamë të gjitha gjetjet dhe të gjitha rezultatet përsa i përket edhe luftës kundër informalitetit dhe në fund, sigurisht, ndamë edhe parashikimet tona për vitin 2016, parashikimet pozitive të rritjes ekonomike, të cilat janë siç e kemi theksuar një rritje ekonomike rreth 3.4%, një rritje të ardhurash e konsiderueshme, që siç e keni parë në 4 muajt e fundit ka qenë e konsoliduar dhe sigurisht, një rritje në investime të huaja sidomos me maturimin e projekteve shumë të rëndësishme, qoftë në energji, qoftë në hidrokarbure, qoftë në turizëm apo manifakturë” – përfundoi Ministri. (javanews.al /r .a)