Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti të premten përfaqësuesit e familjarëve të personave të pagjetur, të kryesuar nga Bajram Çerkini.
Sipas njoftimit për medie nga ky takim, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e plotë të Qeverisë në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur dhe përkrahjen për familjarët.
Kryeministri Mustafa foli edhe për përpjekjet e Qeverisë së Kosovës dhe bisedat edhe me përfaqësuesit ndërkombëtarë në të gjitha nivelet, për të bërë presion ndaj Serbisë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve gjatë luftës në Kosovë, referon Express.
“Përpjekjet e Qeverisë së Kosovës nuk do të ndalen në asnjë moment në këtë drejtim, pasi që për familjarët, për popullin dhe për institucionet e Kosovës nuk ka çështje më të ndjeshme sesa zbardhja e fatit të pagjeturve të luftës në Kosovë”, tha kryeministri Mustafa.
Përfaqësuesit e familjarëve të personave të pagjetur, të kryesuar nga Bajram Çerkini, kanë folur për vështirësitë konkrete të cilat po hasen në zbardhjen e fatit të të pagjeturve, duke kërkuar përkrahjen e mëtejshme të Qeverisë. (b.an)