Pas takimit që pati me dy europarlamentarët Kukan e Fleckenstein, lideri i opozitës Lulzim Basha tha se opozita do një reformë në drejtësi të zbatueshme ligjërisht dhe që lufton krimin dhe korrupsionin. Përsa i përket draftit “paralel” që PD ka, Basha tha se tashmë propozimet i janë dërguar edhe ekspertëve ndërkombëtarë si dhe maxhorancës, e cila sipas tij nuk ka ndërmend t’i shohë ato.
“PD ka bërë propozimet e saj dhe që janë pranuar nga Komisioni i Venecias dhe që tani janë materializuar në draft. Kemi një propozim se si do zgjidhim vendimmarrjen dhe strukturën. Maxhoranca duket se sa shumë e do reformën.
Ne i kemi bërë propozimet dhe presim që përmes dialogut politik të ndihmuar nga faktori ndërkombëtar, paketa në drejtësi të kalojë. Shqetësimi më i madh që ngrita sot është problemi i zbatimit të ligjit. Shqipëria ka një ligj anti-mafia që kërkon sekuestrimin e pasurive të krimit të organizuar. Kemi një ministër që jo vetëm nuk i sekuestron por merr në telefon mafien dhe iu thotë nuk e keni nga mua. Kemi një Elvis Rroshi që kërcënon dhe kryeministri hesht dhe aprovon…”- tha Basha.
javanews/ a.k