Dy deputetët e Partisë Socialiste, Ben Blushi dhe Taulant Balla janë përfshirë në një debat të ashpër në momentin e ndërprerjes së seancës plenare.
Ndërprerja erdhi pasi Blushi denoncoi publikisht mesazhet kërcënuese që kishte marrë nga kreu i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi. Balla i kërkoi Blushit që ta denonconte rastin në Prokurori, por Blushi reagoi duke thënë se nuk e merr seriozisht por e përbuz ashtu siç bën dhe me Ramën. Më tej deputeti i Librazhdit i drejtohet Blushit me fjalët se është zgjedhur deputet me listë dhe duhet ta dojë partinë gjithmonë.
Në këtë pikë reagimi i Blushit është se, Partia Socialiste është kthyer në parti halabakësh. Më pas në debat përfshihen dhe Sali Berisha dhe Edi Rama, ku ish-Kryeministri i kërkon këtij të fundit t’i përgjigjet Blushit për denoncimin dhe të mos fshihet pas “çakallit” Balla.
Debati jashtë kamerave:
Balla: Blush dërgoje në prokurori atë që the në Parlament, mos fol këtu.
Blushi: Unë nuk e dërgoj në prokurori, por e përbuz atë siç të përbuz ty dhe kryeministrin!
Balla: Je bërë tre, Basha, Berisha, Blushi. Ik ore se le nam. Të të vijë turp. Ke ardhur nga lista e partisë, shko e tako popullin njëherë.
Blushi: Ju e keni kthyer partinë në parti halabakësh.
Balla: Kur u bë kjo parti halabakësh? U bë se nuk u bëre ti ministër, se të ishe bërë ministër nuk do të bëje kështu. E shihje shumë mirë sesi ishte kjo partia jote.
Blushi: Hajde dil këtu e fol.
Balla: Po do flas ore, do flas. Partinë duhet ta duash përherë.
Berisha i drejtohet Ramës: Dil këtu e thuaj të vërtetën.
Taulant Balla: O shoku i Blushit, ktheji përgjigje.
Berisha i drejtohet Ramës: Bëju burrë dil vetë, jo me çakej.
Rama i përgjigjet nga vendi por zëri nuk dëgjohet. a.k