Ndryshime të reja në ligjin e lojërave të fatit. Me vendim të ministrit të Financave, tashmë shoqëritë e lojërave të fatit të licencuara në kategorinë e basteve sportive lejohen të hapin adresa sekondare, por sipas një procedure regjistrimi si më poshtë:
Duhet të paraqesin në Autoritetin e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF) dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kërkesë për hapjen e pikave dhe adresën e saktë të saj;
b) Kopje të letërnjoftimit dhe kontratës së punës për punonjësin, i cili do të jetë i punësuar në këtë pikë;
c) Miratimin paraprak të marrë në AMLF nga pronari i ambientit në të cilin do të ushtrohet aktiviteti i lojërave të fatit, sipas përcaktimeve të nenit 3, të ligjit nr. 155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”;
ç) Kopje e njësuar me origjinalin e kontratës së qirasë/huapërdorjes, hartuar e nënshkruar përpara noterit, bashkëlidhur certifikata /vërtetimi i pronësisë apo dokument tjetër që provon të drejtën e qiradhënësit/huadhënësit për të poseduar dhe gëzuar ligjërisht ambientin e dhënë me qira apo në huapërdorje;
d) Vërtetim nga organet tatimore për shlyerjen e detyrimeve tatimore. Për punonjësin, i cili do të jetë i punësuar në këtë pikë shoqëria duhet të zotërojë në dosjen e personelit, në selinë e shoqërisë, dokumentacionin e poshtëshënuar: b.1 kopje e letërnjoftimit; b.2 vërtetim i gjendjes gjyqësore; b.3 dëshmi kualifikimi; b.4 kontratë pune.
Po ashtu, vendimi i cili ka hyrë në fuqi, rregullon edhe procedurën e mbylljes së adresave sekondare, nga ana e shoqërive të lojërave të fatit të licencuara në kategorinë e basteve sportive.
Nevojiten dokumentat:
a) Njoftimin për mbylljen e sallës.
b) Dokument që vërteton zgjidhjen e kontratës për ambientet e marra me qira.
Udhëzimi i ri i Ministrisë së Financave gjithashtu bën të ditur se shoqëritë e lojërave të fatit nuk mund të ushtrojnë veprimtarinë në një pikë të caktuar pa marrë miratimin me shkrim nga AMLF-ja për hapjen e pikës sipas kërkesave të këtij udhëzimi./Monitor/a.m.