Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë pranë Departamentit për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore të Prishtinës kundër 19 të pandehurve në rastin “Rugova”.
Në këtë listë janë Ukë Rugova, Izet Beqiri, Azad Beqiraj, Fitim Beqiri, Visar Beqiri, Florian Petani, Kujtim Avdyli, Edison Idrizaj, Qefser Baholli, Liridona Beqiri, Hamza Beqiri, Driton Voca, Hamza Beqiri, Astrit Haraqija, Valon Selimi, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Azem Koskoviku, Alban Agushi, Haxhi Islami, Ragip Gashi dhe Fadil Ahmeti.
Të pandehurit akuzohen për veprën e krimit të organizuar në lidhje me veprën e kontrabandimit me migrantë.
“Veprat penale për të cilat është ngritur aktakuzë pretendohet se janë kryer përgjatë periudhës 2011 – 2014, dhe kanë të bëjnë me shitjen e vizave Schengen të BE-së të siguruara përmes korrupsionit dhe prezantimeve të rrejshme”, thuhet në komunikatë.
Aktakuza është ngritur prej një prokurori ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale pas hetimeve që ishin iniciuar nga Njësia e Policisë Kufitare të Kosovës për Hetime, të cilat ishin kryer nga ajo njësi së bashku me Policinë e EULEX-it.
Në bankën e të akuzuarve do të ulet edhe djali i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, Ukë Rugova. Ai po dyshohet se ka shitur viza Schengen. (b.an)