Thellohet hendeku mes Presidencës dhe Kryeministrisë. Presidenti Bujar Nishani, nëpërmjet një njftimi për shtyp e ka akzuar Kryeministrin Rama, si “shpifës” dhe “ordiner”. Sipas Presidencës, kreu i shtetit është i indinjuar nga sjellja e paprecedent e Kryeministrit aktual në Parlament, i cili “duke keqpërdorur aulën e Kuvendit të Shqipërisë fyen dhe shpif ndaj Presidentit të Republikës”.
“Sjellje kaq ordinere nuk ka ndodhur kurrë më parë në sallën e Parlamentit shqiptar. Të fyesh Kryetarin e Shtetit duke shfrytëzuar një vend ku Presidenti nuk është prezent është paburrëri e pashembullt”, thuhet në reagimin e Presidencës.
Institucioni i Presidentit të Republikës i kërkon Kryeministrit aktual ta lerë më së fundi ‘shoën’ dhe ekzibicionin dhe të fillojë menjëherë nga puna për të cilën është ngarkuar që tre vjet më parë. Gjithashtu Nishani i kërkon Kryeministrit aktual të largojë urgjentisht nga administrata e shtetit individët e përfshirë në veprimtari kriminale.
“Të krijojë mundësitë për punësim të qytetarëve të vendit, të cilët po vuajnë nga një situatë e rëndë ekonomike. Të luftoje bandat e krimit të organizuar.
T’u ofrojë shërbimin shëndetësor publik qytetarëve që vuajnë çdo ditë nga nevoja për trajtim mjekësor. Të luftojë korrupsionin e përmasave shqetësuese në dëm të pasurisë publike dhe private të qytetarëve shqiptarë. Të mos bllokojë reformën e sistemit të drejtësisë, por të ofrojë kompromisin e nevojshëm për miratimin e saj”, janë detyrat që kreu i shtetit i kujton kryeministrit se duhet të bëjë.
Nishani beson se, përtej pengesave provizore, Shqipëria do të ecë përpara drejt forcimit dhe begatimit.
ma.me